LDK-ja autorizon Abdixhikun që të negociojë koalicione parazgjedhore
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka autorizuar kryetarin Lumir Abdixhiku që të negociojë me partitë jo-parlamentare për koalicione parazgjedhore.
Burimet e Reporterit kanë thënë se ky vendim është marrë të martën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Këto burime gjithashtu kanë thënë se në këtë mbledhje është marrë vendim që nga sa kandidatë në listat zgjedhore për deputetë do të jenë nga secila komunë e Kosovës.
Lumir Abdixhiku në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Partisë, ka mbajtur një fjalim për situatën politike në Kosovë.
Ai ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë edhe me shumicën e pushtetit, ka dështuar, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Pushtetin nuk e përdori për ta avancuar shtetin, por e përdori për të ushtruar arrogancë, për të ushqyer propagandë dhe për të mbjellë polarizim shoqëror që vendin tonë të vogël e ndau thellë dhe e mbylli rëndë dhe e kurthoi keq”, ka thënë Abdixhiku.
“Pa rezultat, me ankesa për të kaluarën dhe me fajësim të secilit përveç vetes për dështimet e paimagjinuara”, ka thënë ai.
Sipas kryetarit të LDK-së, shkaku i keqqeverisjes së Kurtit po largohen nga Kosova shumë qytetarë.
“Mbajnë emrin e 173 kosovarëve që largohen çdo ditë nga kosova, e një ekonomie në deficit të thellë tregtarë, investimeve kapitale më të ulëta, tkurrjen e popullsisë”, ka thënë ai veç të tjerash.