LDK-ja bën homazhe të varri i Rugovës dhe Krasniqit
Pas votimit të tri ligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri, Grupi Parlamentar i LDK-së ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i ish-ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se kjo ditë mbetet historike për popullin e Kosovës dhe meritën e ka komandanti i parë i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili sipas tij ka ndërtuar rrugën për formimin e ushtrisë të shtetit tonë.
“Është kulmimi i sakrificës së popullit të Kosovës që rezultoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe, sot mandatimit të ushtrisë së Kosovës. Po bëjmë homazhe te varri i presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, komandanti suprem i Ushtrisë së Kosovës për të kujtuar kontributin e tij drejt shtetformimit të vendit tonë, ne aleancë të fuqishme me ShBA-të, Gjermaninë, Britaninë dhe gjithë botën perëndimore”, ka thënë Beqiri.