LDK-ja bën homazhe te varri i Nekibe Kelmendit
Në shtatëvjetorin e vdekjes së ish-nënkryetares së LDK-së, Nekibe Kelmendi, kryesia e kësaj partie ka bërë homazhe të martën te varri i saj.
Me këtë rast, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka deklaruar se sot po nderojnë jetën dhe veprën e ish-zyrtares së lart të kësaj partie, e cila ishte e mbushur me plot sakrifica.
“Gjithmonë e kemi në mendje si një shembull të një gruaje vërtet tipike shqiptare dhe institucionaliste, e mrekullueshme që padyshim i mungon edhe jetës institucionale edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Andaj kjo është në vazhdën e asaj që Lidhja Demokratike e Kosovës mundohet sado pak me ua kthye në një mënyrë atë që është vështirë me ua kthye gjithë atyre veprimtarëve të shumtë që i ka dhënë LDK-ja në periudha të ndryshme dhe në mesin e tyre padyshim është Nekibe Kelmendi, e cila zë një vend meritor”, ka thënë Beqiri.
Ndërsa anëtari i kryesisë së LDK-së, Sabri Hamiti, ka deklaruar se Nekibe Kelmendi ishte shembulli se si punohet me nder dhe përkushtim.