LDK-ja bisedon për zgjedhjet e 9 shkurtit me misionin e BE-së
Delegacioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në përbërje nga nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili dhe anëtarët e Kryesisë, Besian Mustafa dhe Florian Dushi kanë pritur në takim misionin e Bashkimit Evropian (BE) për monitorimin e zgjedhjeve, të prirë nga Mette Bakken, zyrtare e politikave për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Në njoftimin e lëshuar për medie është thënë se në këtë takim është diskutuar për parapërgatitjet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, çështjet organizative të LDK-së dhe programin politik “Rruga e Re”.
“LDK theksoi rëndësinë e mbikëqyrjes së zgjedhjeve nga ana e Bashkimit Evropian, si garanci për një proces të drejtë, transparent dhe të lirë. Lidhja Demokratike është gati për zgjedhjet e 9 shkurtit; me strukturën, njerëzit, idetë e idealet të djathta dhe programin politik ‘Rruga e Re’!”, ka njoftuar LDK-ja.