LDK-ja dënon fushatën linçuese që po bëhet në rrjetet sociale ndaj ShBA-ve
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti që të ndalojë fushatën linçuese që po bëhet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
LDK-ja përmes një reagimi për media ka thënë se e dënon ashpër këtë fushatë të ulët e linçuese e cila po zhvillohet në rrjetet sociale apo përmes deklaratave politike, e orkestruar, qoftë drejtpërdrejt përmes aktivistëve politik apo forma tjera indirekte, ndaj aleatit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe personaliteteve të SHBA-ve.
“Fushata denigruese ndaj aleatit kryesor të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës për LDK-në është e papranueshme dhe e pafalshme. Fryma e fushatatës së tillë u instalua nga deklaratat publike të disa këshilltarëve të Kryeministrit të Kosovës, e pasuar nga militantë të LV-së”, thuhet në reagimin e LDK-së
LDK-ja fton qytetarët e Kosovës të refuzojnë këtë fushatë dhe të mos bëhen pjesë e një diskursi që nuk pasqyron edukatën tonë personale, familjare e qytetare dhe nuk i takon kulturës dhe traditës tonë, si shoqëri e si komb.
“LDK fton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, që është kryeministër në detyrë, ta dënoj këtë fushatë dhe të ndikojë në ndaljen e saj. SHBA meriton respekt dhe falenderim të përhershëm të Kosovës dhe të çdo qytetari të saj”, thuhet në reagimin e LDK-së.
/Epoka e re/