LDK-ja dënon gjuhën e Kurtit: Shenjë paniku nga rënia e lirë në terren

22 janar 2025 | 11:45

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur nga kryeministri Albin Kurti kundrejt partive opozitare, veçanërisht ndaj LDK-së.

Ai ka thënë se sjellja e Kurtit është pasojë e frikës që ai po ndjen nga informacionet që po merr në terren, të cilat, sipas tij, tregojnë se “në aspektin e votës, është në rënie të lirë”.

“Dënoj gjuhën e ulët që kryeministri aktual, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, drejton ndaj partive opozitare e në veçanti ndaj Partisë Demokratike të Kosovës. Siç e kam thënë edhe më parë, kjo është një shenjë paniku nga dëshpërimi për shkak të informacionit që i vjen nga terreni, nga qytetarët, se ai tashmë, në aspektin e votës, është në rënie të lirë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shprehur bindjen se LDK-ja është në rrugën drejt fitores dhe se qytetarët kanë vendosur t’i japin besimin e udhëheqjes së vendit Lumir Abdixhikut, kandidatit për kryeministër të kësaj partie.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është bërë një me popullin dhe fitorja e LDK-së më 9 shkurt është në duart e qytetarëve, të cilët kanë vendosur që LDK-ja do të udhëheqë Qeverinë e ardhshme, me kryeministrin Lumir Abdixhiku në krye”, ka thënë Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fatmir Fumolli shpall të pavlefshme certifikatën me numër fiskal: 601091797.