LDK-ja dhe LV-ja bojkotojnë takimin e partive politike
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LV) e kanë bojkotuar takimin e organizuar nga Instituti “Grupi Ballkanik për Politika”, në të cilën janë ftuar liderë dhe përfaqësues të subjekteve politike për të diskutuar për dialogun Kosovë – Serbi.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili është parë në ambientet ku po mbahet takimi, ka treguar arsyet pse partia e tij po e bojkoton këtë debat.
“Mosserioziteti, papërgjegjshmëria dhe sjellja e tillë politike karshi një procesi kaq të rëndësishëm neve na bën të pamundshëm me marrë pjesë në debate të tilla”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për medie ka sqaruar se pse nuk është pjesë e takimit.
“Lëvizja Vetëvendosje vendosi të mos marrë pjesë në “tryezën për dialogun politik” që është planifikuar të mbahet sot nga organizata Balkan Research Policy Group (BRPG) si “takim i liderëve”. Tryezat e tilla janë shpeshtuar shumë kohëve te fundit dhe duhet të reduktohen. Tryezat e tilla bëhen edhe më problematike kur formati i propozuar dhe organogrami për diskutim në tryezë përputhet me formatet e zyrës së Presidencës që drejtohet nga një person i diskredituar dhe i deligjitimuar si z. Hashim Thaçi. Ajo që na duhet është rikthimi i çështjes në Kuvend. Fokusimi shumë i madh i qeveritarëve te tryezat e shoqërisë civile për këtë çështje ndodh për faktin se Qeverisë i mungon shumica në Kuvend. Kurse për opozitën si dhe për shtetin e Kosovës është jetike që diskutimi të ndodh aty ku është përfaqësimi i zërit të qytetareve: në Kuvend. Kuvendi i Kosovës duhet t’ia tregojë vijat e kuqe presidentit Thaçi dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e LV-së.
/Epoka e re/