LDK-ja dhe LV-ja gabuan rëndë që lëshuan seancën për tribunalin

21 maj 2019 | 13:26

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, e ka vlerësuar gabim të rëndë veprimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje për ta braktisur seancën parlamentare, në të cilën po flitej për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë.

Ai ka thënë se çfarë ka ndodhur të hënën në seancë është për të ardhur keq.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se mazhoranca duhet të kuptojë një herë e mirë se opozitën nuk e kanë aleate as për iniciativa që lidhen me interesin kombëtar.

“Sa i përket kundërshtimit të LDK-së dhe LV-së, për mua braktisja e seancës prej tyre ka qenë gabim i rëndë i tyre. Unë do ta kuptoja braktisjen e të gjitha seancave, por jo edhe të seancës ku flitet për krijimin e një mekanizmi që kërkon drejtësi për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë Nitaj.

Me këtë veprim, sipas tij, dy subjektet opozitare e kanë dërguar mesazhin e keq se Kuvendi nuk është unik as për krimet serbe në Kosovë.

“Unë druaj se sot LDK-ja dhe LV-ja, besoj pa vetëdije, e kanë dërguar një mesazh të keq, se Kuvendi i Kosovës nuk mund të bjerë në një zë, as për krimet serbe në Kosovë. Fundja, përtej motiveve që mund t’i ketë kushdo qoftë, nisma e Kuvendit për të krijuar një mekanizëm që kërkon drejtësi për krimet e kryera në Kosovë, është legale dhe legjitime”, ka thënë Nitaj.

Deputeti i AAK-së ka folur edhe për iniciativën e re të opozitës për ta rrëzuar Qeverinë.

Ai ka deklaruar se kësaj historie që po dëgjohet që një vit i ka dalë boja.

“Po kërkojnë vota edhe nga pozita, veç kurrë nuk e kanë kuptuar nëse mund të llogarisin, qoftë edhe në të gjitha votat, që formalisht janë në taborin e tyre. Unë nuk do të isha aq i sigurt. Populli  thotë se fjalët e tepërta  janë fukarallëk. Ata që e kanë fuqinë e numrat, nuk flasin hiç, por veprojnë”, ka thënë Nitaj.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, deputetët e LDK-së dhe Vetëvendosjes e lëshuan sallën e Kuvendit, në të cilën po diskutohej për krijimin e një komisioni për themelimin e tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer gjatë luftës në Kosovë. Si e keni parë këtë veprim të tyre?
Nitaj: Është për të ardhur keq çfarë ka ndodhur në seancën e së hënës të Kuvendit. Kjo seancë nuk do të duhej të ishte një seancë e debateve pa fund, ku deputetët i lexonin fjalimet e tyre të gjata, me gjasë edhe fjalime të shkruara nga një dorë, por do të duhej të ishte një seancë që prodhon rezultat. Shumica parlamentare ende nuk e ka kuptuar se nuk e ka aleate opozitën për asnjë gjë. Bash për asnjë gjë.  As për projektet e nismat që mund të klasifikohen nisma të interesit kombëtar. Ajo e ka nxjerrë shpatën mbi setër dhe po provon t’ia presë kokën kësaj qeverie. Natyrisht, nëse mundet. Prandaj liderët e shumicës parlamentare do të duhej të ishin mobilizuar për t’i sjellë në Kuvend deputetët e tyre, e jo siç po ndodh tash e sa kohë, edhe sot, të mungojnë një numër i konsiderueshëm i deputetëve të shumicës. Për sa i përket kundërshtimit të LDK-së dhe të LV-së, për mua braktisja e seancës prej tyre ka qenë një gabim i rëndë i tyre. Unë do ta kuptoja braktisjen e të gjitha seancave, por jo edhe të seancës ku flitet për krijimin e një mekanizmi që kërkon drejtësi për krimet e kryera në Kosovë.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, pretendimet e tyre janë se ky tribunal nuk mund të bëhet. Sa sfiduese për Kosovën do të jetë që të arrijë ta bindë bashkësinë ndërkombëtare për themelimin e një tribinali të tillë?Nitaj: Kjo është një çështje tjetër. Pretendimet e tyre mund të jenë edhe të bazuara. Edhe unë shembull kam dilemat e mia sa i përket nismës së zotit Veseli për krijimin e këtij tribunali. Se si do të krijohet ai, cila është baza ligjore, cili do të jetë rezultati i tij, e kështu me radhë. Por kjo nuk do të thotë që një nismë e tillë duhet të përmbyset ende pa u artikuluar mirë. Unë druaj se sot LDK-ja dhe LV-ja, besoj pa vetëdije, e kanë dërguar një mesazh të keq, se Kuvendi i Kosovës nuk mund të bjerë në një zë as për krimet serbe në Kosovë. Fundja, përtej motiveve që mund t’i ketë kushdo qoftë, nisma e Kuvendit, për të krijuar një mekanizëm që kërkon drejtësi për krimet e kryera në Kosovë, është legale dhe legjitime.

“Epoka e re”: Me iniciativën e LDK-së opozita sërish ka aktivizuar iniciativën për rrëzimin e qeverisë. I frikësohet qeveria kësaj iniciative?
Nitaj: Unë nuk e di nëse qeveria i frikësohet një nisme të tillë, sepse ajo flet vetë, por e di se ka më shumë se një vit që e dëgjojmë historinë se si opozita do ta rrëzojë qeverinë dhe kësaj pune i ka dalë boja. Kemi dëgjuar lloj-lloj margaritarësh se si do ta kryejnë këtë operacion. Po kërkojnë vota edhe nga pozita, veç kurrë nuk e kanë kuptuar nëse mund të llogarisin, qoftë edhe në të gjitha votat, që formalisht janë në taborin e tyre. Unë nuk do të isha aq i sigurt. Populli thotë se fjalët e tepërta janë fukarallëk. Ata që e kanë fuqinë e numrat, nuk flasin hiç, por veprojnë. Por, duket se LDK-ja dhe LV-ja janë në krizë për ide dhe veprime, prandaj dhe po provojnë ta mbajnë elektoratin e vet me këtë historinë e rrëzimit të qeverisë.

“Epoka e re”: Sa jeni i kënaqur me funksionimin e koalicionit qeverisës?
Nitaj: Është e vërtetë se koalicioni qeverisës ka qenë përballë sfidave të shumta gjatë vitit të fundit, por edhe sfidat i ka pasur më të mëdha e më të rënda. Veç përballja me Serbinë dhe aleatët e saj në këtë fazë të përmbylljes së projektit të Kosovës, nëse mund të shprehem kështu, ka qenë një detyrë e vështirë, që ka kërkuar edhe mençuri, edhe guxim, diçka që duket të mos ketë qenë e mjaftueshme në qeverisjet e shkuara. Dhe këtë e di edhe opozita, por ia ka qejfi të mos e pranojë, sepse në këtë vend veç suksesin nuk ta bëjnë hallall. Vlerësoj se kjo qeveri i ka kryer disa punë të rëndësishme. Nuk po dua t’i numëroj sepse ato janë transparente, por vendosmëria e kësaj qeverie dhe e kryeministrit Haradinaj, që të mos lëshojë pe ndaj kërkesave anti-Kosovë të Serbisë, nuk është punë e vogël. Më në fund Kosova po e rikthen zërin dhe fuqinë e vet, edhe brenda, edhe jashtë. Unë nuk dua ta amnistoj qeverinë për gabimet eventuale të saj, sepse askush nuk mund të jetë imun nga gabimet, por për mua është i rëndësishëm përcaktimi dhe përkushtimi i qeverisë dhe i kryeministrit në raport me problemet që i ka vendi dhe ato janë tepër të sakta dhe në përputhje me interesat e vendit.

“Epoka e re”: Edhe disa zëra brenda koalicionit qeverisës pretendojnë se zgjedhje të reja mund të ketë në vjeshtën e këtij viti. Sa është e mundshme të ndodhë kjo?
Nitaj: Epo tani unë nuk mund ta luaj rolin e Nostradamusit. Në këtë vend asgjë dhe gjithçka është e mundur. Por, siç thotë populli, “t’gamet” nuk janë!

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se…