LDK-ja dhe LV-ja lëshojnë seancën e Kuvendit Komunal në Prishtinë
Mosmarrëveshjet lidhur me vazhdimin ose jo të seancës të së hënës, e cila ishte mjaft e tensionuar, kanë bërë që asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, pasi kryetari i këtij kuvendi, Agim Kuleta ka kërkuar që të vazhdojë me seancën.
Ata nuk kanë qenë në dijeni nëse seanca e të hënës ka qenë e mbyllur apo jo, meqë sipas tyre nuk kanë qenë të lajmëruar për këtë gjë nga Kuleta, ndaj është thirrur mbledhja e shefave të grupeve të asamblistëve, për ta qartësuar situatën.
Pas këtij takimi, LDK-ja ka kërkuar që për vazhdimin ose jo të kësaj seance të vendosin asamblistët, por me këtë kërkesë nuk është pajtuar kryetari i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta, dhe në shenjë proteste asamblistët e LDK-së dhe Vetëvendosjes e kanë lëshuar sallën.