LDK-ja dhe Vetëvendosja e çojnë në Kushtetuese ligjin për dialogun
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë proceduar sot në Gjykatën Kushtetuese, Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovë në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Në konferencë për medie, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, dhe deputetja e LV-së, Albulena Haxhiu, kanë treguar se këtë ligj e kanë dorëzuar në Kushtetuese për shkak të shkeljeve në të paktën tetë nene të Kushtetutës së vendit.
Këto dy subjekte politike kanë kërkuara vendosjen e masës së përkohshme për ta ndaluar instalimin e këtij precedenti të rrezikshëm dhe kërkojnë një seancë dëgjimore për të argumentuar çështjet e ngritura prej tyre.
“Si grupe parlamentare, si deputetë të dy partive politike e kontestojmë në tërësi kushtetutshmërinë e këtij Ligji, besojmë që përgjigja do të jetë edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që ky projektligj të rrëzohet dhe si i tillë mandati kushtetues i institucioneve të mos cenohet”, ka thënë Selmanaj.
Ndërsa deputetja e LV-së, Albulena Haxhiu, ka treguar se projektligji është i gatshëm të shkelë kushtetutën vetëm për t’i shërbyer projektit për ndarjen e Kosovës të propaganduar nga Presidenti Thaçi.
“Gjithë kjo aventurë e fundit është pra në shërbim të plotë të Hashim Thaçit. Në këtë kaos të qëllimshëm, që po krijojnë aktorët që ishte dashur të ruajnë aktorët që ishte dashur të ruajnë koherencën e politikës së jashtme dhe sovranitetin e integritetin territorial, përfshihet edhe i ashtuquajtur Ligj për Dialogun”, ka thënë Haxhiu.
Deputetët e dy subjekteve opozitare deklaruan se veprimet e tyre nuk do të kufizohen këtu. Në rastin e ezaurimit të të gjitha mjeteve juridike për kundërshtimin e këtij projektligji, ata kanë deklaruar se do të vazhdojë në shfrytëzimin e të drejtës për të protestuar kundra një procesi kaq të rrezikshëm.
/Epoka e re/