LDK-ja diskuton për situatën politike dhe për pandeminë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, ku kanë diskutuar për situatën politike në vend dhe gjendja me Covid-19.
Pas mbledhjes, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi, ka treguar për qëllimin e kësaj mbledhje. “Kryesia e LDK-së sot është mbledhur me ftesë të kryetarit për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend dhe rrethanat nëpër të cilat po kalon vendi. Është diskutuar edhe për nevojën e domosdoshme që të kalojë buxheti i Kosovës në mënyrë që të fillojnë aplikimi i masave dhe buxheti të realizohet për masat anti-covid. Gjithashtu, edhe për situatën e përgjithshme politike pas publikimit nga Gjykata Speciale të komunikatës e cila gjithsesi që ka shkaktuar një traumë në jetën institucionale të Kosovës”, ka thënë ai.
Abrashi, i cili është edhe ministër i Infrastrukturës, ka bërë me dije se gjatë ditës Qeveria e Kosovës do të mblidhet për të diskutuar gjendjen e pandemisë.
Ai ka deklaruar se personalisht mendon se duhet të merren disa masa urgjente për parandalimin e Covid-19.
“Ajo çka mund të them është vetëm mendimet e mia personale që masat duhet të merren sa më shpejt sa më urgjent, do të thotë gjendja po eskalon. Kjo ka të bëjë pikë së pari me lehtësimin e masave, do të thotë qeveria Kurti para dorëzimit të detyrës ka dorëzuar dhe ka liruar të gjitha masat, ka kaluar pak a shumë prej fazës së parë në fazën e tretë dhe kjo ka shkaktuar edhe këto çka po i shohim”, ka thënë Abrashi.
(M.K / Epoka e re)