LDK-ja do të dalë e para
Anëtari i Kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valon Murtezaj, ka thënë se kjo parti e ka ofertën më të mirë për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
Ai ka theksuar se në qeverisjen e LDK-së do të ketë sundim të ligjit, luftim të korrupsionit, forcim të pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare si dhe vende të reja të punës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murtezaj ka thënë se LDK-ja do të dalë e para në këto zgjedhje.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit paszgjedhor LDK-LV, por ka thënë se për këtë do të vendoset pas 6 tetorit.
Murtezaj ka treguar se koalicioni parazgjedhor LDK-LV nuk është arritur meqë LDK-ja ka qenë e interesuar që secila parti të garojë e vetme në zgjedhje
“Epoka e re”: Z. Murtezaj, si e komentoni garën e 6 tetorit ku tri subjektet më të mëdha në vend dhe një koalicion pretendojnë se do të jenë fitues të zgjedhjeve?
Murtezaj: Zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor për Kosovën janë shumë të rëndësishme. Rëndësia kryesore qëndron në atë se Kosova do të bëhet me përfaqësues të ri të popullit dhe me qeveri të re e cila do të ketë para vetes, në detyrat e saj, obligime tepër të rëndësishme për ta forcuar shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në të njëjtën kohë për t’i adresuar problematikat, çështjet dhe sfidat që janë brenda Kosovës. Prandaj pesha e këtyre zgjedhjeve është e jashtëzakonshme dhe është e rëndësishme që këto zgjedhje të shkojnë në një klimë të qetë dhe të respektit të ndërsjellë sepse qytetari do ta përcaktojë fituesin.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e LDK-së nga këto zgjedhje dhe në rast se del partia e parë, a do të mund t’i finalizojë proceset e rëndësishme?
Murtezaj: LDK-ja hyn në këto zgjedhje e përgatitur, me një punë ekipore tepër të efektshme. Po punohet për t’i përzgjedhur kandidatët më të mirë për deputetë, që kanë kapacitet për të bartur mbi supe edhe qeverisjen së shpejti. Listës së LDK-së i prin znj. Vjosa Osmani, një kandidate tepër e përgatitur, me një besim dhe përkrahje të jashtëzakonshme në elektoratin e LDK-së dhe më gjerë. Kjo është mundësia më e mirë për qytetarët e Kosovës që për herë të parë ta kenë në ballë të qeverisë një femër të përgatitur e cila ka kapacitet për të ndërtuar ura të reja brenda dhe jashtë vendit. Sidomos ky do të ishte një avancim në kulturën e përgjithshme të qeverisjes në Kosovë, pra një grua e cila është mirë e përgatitur të jetë në një funksion kryesor në vendin tonë. Kurse sa iu përket pritjeve, të gjitha sondazhet e qesin të parën LDK-në.
“Epoka e re”: Megjithatë në opinion, nga analistët si dhe nga partitë rivale, ka skepticizëm se Osmani do të ketë fuqi për t’i çuar përpara proceset e vështira meqë do të jetë e varur nga Mustafa, Haziri dhe Veliu.
Murtezaj: Njerëzit janë të lirë të mendojnë, megjithatë të gjitha këto janë paragjykime të cilat nuk janë thënë nga njerëzit brenda LDK-së. Gara ka qenë e hapur dhe është e drejtë njerëzore që secili ta ketë aspiratën për të kandiduar. Osmani ka marrë besimin e Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm, por edhe gjatë procesit do ta ketë përkrahjen e degëve dhe të individëve brenda LDK-së. Ajo do ta ketë kompetencën, përgjegjësinë dhe fjalën kryesore në kompozicionin e qeverisë së ardhshme.
“Epoka e re”: Në rast se LDK-ja i fiton zgjedhjet, a e ka ndarë mendjen se me kënd do të qeverisë?
Murtezaj: Ka pasur diskutime dhe orientime të ndryshme, por ideja e përgjithshme që ka dominuar është se opozita e deritashme të ketë një bashkëpunim, mirëpo është shumë herët të flitet sepse së pari duhet të kryhen zgjedhjet dhe të dihen rezultatet në renditjen e partive. E kam fjalën kush do të jetë pas LDK-së sepse LDK-ja do të dalë e para. Pastaj do të fillojnë bisedat për ta gjetur qeverinë më të mirë që i nevojitet Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Epoka e re”: Dështimi i koalicionit parazgjedhor LDK-LV i shuan shpresat për një koalicion pas zgjedhjeve?
Murtezaj: Këto as nuk mund të quhen dështime dhe as nuk kanë të bëjnë me konceptin e shpresës. LDK-LV nuk ka funksionuar si koalicion parazgjedhor sepse LDK-ja gjithherë ka qenë e interesuar që secila parti të shkojë vetë në zgjedhje në mënyrë që të dihet dhe të merret përkrahja nga sovrani dhe pastaj edhe fuqia vendimmarrëse e secilës parti determinohet nga vota e qytetarit. Prandaj për këtë LDK-ja po punon shumë në këtë periudhë parazgjedhore dhe do të vazhdojë edhe gjatë fushatës zyrtare në mënyrë që të dalë e para. Rrethanat dhe shanset reale janë që LDK-ja kësaj here të jetë bindshëm e para dhe të jetë lidere për formimin e qeverisë së ardhshme.
“Epoka e re”: Drejtuesit e Vetëvendosjes po e akuzojnë LDK-në për dështimin e koalicionit parazgjedhor. Ish-deputeti Ismajl Kurteshi ka thënë se përgjegjësinë kryesore për këtë e ka LDK-ja. Ndiheni përgjegjës për mosarritjen e këtij koalicioni?
Murtezaj: Të gjitha këto nuk qëndrojnë sepse ka pasur biseda për çështje programore, mirëpo është në vullnetin e strukturave të secilës parti që ta përcaktojnë rrugën për të ardhmen e partisë së vet. Pra, askush nuk ka të drejtë që t’i diktojë dikujt tjetër se kush duhet të jetë udhëheqës apo se më kënd duhet të bëjë koalicion. Këto gjëra më së miri është që të diskutohen pas zgjedhjeve, pastaj të gjenden interesat e përbashkëta. Mirëpo këto interesa të përbashkëta partiake duhet të kenë udhëheqës interesin e Kosovës në radhë të parë.
“Epoka e re”: Aktualisht vëmendja kryesore është te përpilimi i listave të kandidatëve për deputetë dhe shumica e partive politike janë zotuar se nuk do të kandidojnë njerëz që kanë probleme me ligjin. Çfarë do të ndodhë me LDK-në, do të ketë njerëz të tillë në listën e saj?
Murtezaj: Aktualisht jemi në fazën e pranimit të kandidaturave nga degët dhe është ende herët si dhe nuk mund të flas sepse nuk jam pjesë e ekipeve punuese për këtë. Megjithatë, ajo çka i duhet Kosovës në radhë të parë është forcimi i sundimit të ligjit. Secila parti përmes përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë duhet të japë orientimin nëse është për shtet ligjor apo jo. Kjo është përgjegjësi e të gjitha partive politike.
“Epoka e re”: Ju do të jeni pjesë e listës?
Murtezaj: Është e rëndësishme që lista të jetë sa më përfshirëse dhe jo përjashtuese. Vullneti im është të jem pjesë e zhvillimeve politike dhe unë jam këtu, mirëpo kjo varet prej vullnetit të qytetarëve.
“Epoka e re”: Cila do të jetë oferta e LDK-së dhe kandidates së saj për kryeministre për zgjedhjet e 6 tetorit?
Murtezaj: Sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, forcimi i pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, forcimi i marrëdhënieve me partnerët, si dhe krijimi i vendeve të punës. Oferta jonë parasheh projektet qeverisës që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe jo projekte abstrakte.
“Epoka e re”: Mund të presim një qeverisje LDK-LV?
Murtezaj: LDK-ja do të jetë në qeveri me Vjosën kryeministre. Në momentin që rezultatet konfirmohen do të gjenden partnerët e koalicionit të cilët e kanë në radhë të parë interesin e Kosovës, ofrimin e projekteve më të mira për qytetarët dhe një klimë të mirë të bashkëpunimit në mënyrë që të kemi një qeverisje stabile dhe mos të jetë e varur nga sjelljet individuale të ndonjë deputeti, pra të ketë një shumicë solide në Kuvendin e Kosovës. Ka pasur një klimë të bashkëpunimit me Vetëvendosjen dhe ideja e përgjithshme ka qenë që opozita e deritanishme të jetë në qeveri, mirëpo pa u kryer zgjedhjet nuk mund të flasim konkretisht për orientimin e koalicioneve paszgjedhore.
“Epoka e re”: Z. Murtezaj, si e shihni vazhdimin e procesit të dialogut dhe agjendën evropiane pas formimit të institucioneve të reja?
Murtezaj: Në vitet e fundit pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare është dobësuar dhe shumë dyer janë mbyllur. Përmirësimi i pozitës dhe hapja e këtyre dyerve do të jetë një nga synimet e qeverisë së udhëhequr nga LDK-ja. Dialogu është një proces i vështirë që kërkon shumë përgatitje dhe shumë seriozitet, të cilën nuk e ka pasur nga qeveria e kaluar. Me shumë mençuri dhe duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë do t’i gjejmë zgjidhjet më të mira për Kosovën në mënyrë që të përshpejtohet ecja e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Dialogu do të jetë një prej pikave të vështira dhe Kosova në këto çështje duhet të jetë e bashkuar në çfarëdo lloj kompozicioni qeverisës që do të mund të ndodhë pas 6 tetorit.
Shqipe HETEMI