LDK-ja do të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme

05 gusht 2019 | 14:09

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, ka thënë se Kuvendi i Nëntë Zgjedhor i kësaj partie ka qenë demokratik dhe janë respektuar të gjitha normat statutare gjatë zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar.

Megjithatë, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ai ka deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme kryetari i partisë duhet të zgjedhet me dy e më shumë kandidatë dhe me votë të fshehur.

Rugova ka thënë se 40 për qind e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë figura të reja dhe, sipas tij, ndryshime do të ketë edhe në kryesia e partisë që do të zgjedhet gjatë kësaj jave.

Deputeti i LDK-së ka bërë me dije se kjo parti do të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas Rugovës, LDK-ja do ta ketë një kandidat konsensual për kryeministër.

Ai ka thënë se, përveç Isa Mustafës, kandidatë seriozë për kryeministër janë edhe Lutfi Haziri, Vjosa Osmani e Kujtim Shala.

Ai ka shprehur optimizëm se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare LDK-ja do të dalë fituese.

“Epoka e re”: Z. Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Kuvendin e IX Zgjedhor ka rizgjedhur Isa Mustafën edhe për një mandat në krye të partisë. Si e komentoni këtë proces zgjedhor?
Rugova: Me mbajtjen e Kuvendit të Nëntë Zgjedhor është përmbyllur cikli zgjedhor i LDK-së. Ky kuvend ishte demokratik meqë janë respektuar të gjitha normat statutare sepse statuti i një partie është sikurse kushtetua për shtetin. Kanë qenë dy kandidatë të propozuar, por mbështetjen e 50 plus 1 për qind të delegatëve e ka marrë vetëm kryetari i rizgjedhur, Isa Mustafa. Ai është zgjedhur kryetar pasi që është i vetmi që e ka kaluar këtë kriter/normën statutare 50 plus 1 për qind të delegatëve të pranishëm.

“Epoka e re”: Pikërisht kjo normë po ua pamundëson të tjerëve kandidimin dhe për këtë ka pasur shumë kritika.
Rugova: Statuti është hartuar dhe votuar në konsultim edhe me ekspertët e partive simotra pra, Partive Popullore Evropian. Personalisht mendoj se kjo normë statutare duhet të ndryshohet, por përderisa ky statut është në fuqi, jemi të obliguar ta respektojmë. Sa i përket anës formale-juridike statutare dhe procedurale çdo gjë ka shkuar në rregull, por jam ithtar që në zgjedhjet e ardhshme ta ndryshojmë këtë normë statutare dhe kryetari i partisë të zgjedhet me dy e më shumë kandidatë dhe me votë të fshehur. Mirëpo në aspektin formal dhe juridik është respektuar statuti i LDK-së.  

“Epoka e re”: Pavarësisht prej pritjeve, edhe në këto zgjedhje nuk pati ndryshime në LDK. Rizgjedhja e Mustafës në krye të partisë është përcjell me skepticizëm nga disa zyrtarë të LDK-së, por edhe nga analistët. Në fakt, mund të sjellë LDK-ja ndryshime në Kosovë e cila nuk po mund ta ndryshojë vetveten?
Rugova: Kryetarin e partisë nuk e zgjedh opinioni, mediet, analistët e as rrjetet sociale, por e zgjedhin delegatët. Delegatët e Kuvendit të IX Zgjedhor të LDK-së e kanë zgjedhur të shtunën Isa Mustafën kryetar. Sa iu takon ndryshimeve në Këshillin e Përgjithshëm, rreth 40 për qind janë njerëz që nuk kanë qenë më herët, janë kryetarët e degëve, kryetarët e komunave, deputetë dhe ky ndryshim i Këshillit të Përgjithshëm besoj se do të reflektojë edhe në përbërjen e re të kryesisë së partisë. Presim që këto ditë të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe kryesia do ta ketë barrën kryesore që të organizohemi për t’i fituar zgjedhjet. Sondazhet e të gjithë mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë LDK-në e qesin subjektin më të besueshëm te qytetarët e Kosovës.    

“Epoka e re”: LDK-ja kur do ta ketë kryesinë e re dhe a priten ndryshime?
Rugova: Pas zgjedhjes së kryetarit dhe Këshillit të Përgjithshëm, pres që këtë javë të zgjedhet edhe kryesia e re e partisë. Pastaj LDK-ja do ta fillojë mobilizimin për zgjedhje parlamentare që do të mbahen në vjeshtën e hershme të këtij viti.  Gjithsesi se do të ketë ndryshime në kryesi, pra pritet të ketë figura të reja dhe freskime ashtu siç pati në Këshillin e Përgjithshëm.  

“Epoka e re”: Në këto zgjedhje LDK-ja do ta ketë kandidatë për kryeministër Isa Mustafën apo ndonjë kandidat konsensual?
Rugova: Kandidatura e kandidatit për kryeministër do të miratohet në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. LDK-ja ka mjaft potencial politik, profesional e akademik për ta drejtuar qeverinë e re të Kosovës. Besoj se LDK-ja do ta ketë një kandidat konsensual për kryeministër, dikush që ka mbështetje gjithëpopullore në të gjitha trevat e Kosovës. Kandidati për kryeministër do ta ketë përvojën politike, dijen dhe përgatitjen akademike që vërtet ta bëjë ndryshimin e nevojshëm në krye të qeverisë.

“Epoka e re”: Është ky Isa Mustafa?
Rugova: Isa Mustafa e ka dëshmuar cilësinë e qeverisjes së tij dhe ajo nuk krahasohet me qeverisjen Haradinaj sepse qeveria në largim është qeveria më e dobët që nga paslufta. Por, ka edhe emra të tjerë të cilët dinjitetshëm mund ta udhëheqin qeverinë e vendit.

“Epoka e re”: Sidomos është përfolur emri i Lutfi Hazirit, madje është thënë se ka qenë një marrëveshje paraprake që Mustafa të zgjedhet kryetar i partisë e Haziri të jetë kandidat për kryeministër.
Rugova: Nuk kam informata se ka marrëveshje paraprake për kandidatin për kryeministër, mirëpo z. Haziri është një figurë e rëndësishme e LDK-së i cili në të gjitha garat elektorale ka dalë fitues dhe ai do të mund të ishte një kandidat serioz për kryeministër. Por, LDK-ja ka edhe shumë emra të tjerë që do t’i bëjnë nder edhe vendit, edhe LDK-së gjatë udhëheqjes së qeverisë. Ka edhe plot emra të tjerë si Vjosa Osmani që është femra më e votuar në Kosovë dhe që i ka të gjitha kredencialet politike, profesionale dhe akademike. Gjithashtu, mund të jetë edhe Kujtim Shala një figurë e respektuar në LDK si dhe dhjetëra të tjerë, pa dashur të përmend në emra të përveçëm të cilët mund të jenë kandidatë seriozë për ta udhëhequr qeverinë.

“Epoka e re”: Kushdo që të jetë kandidat për kryeministër, cilat janë pritjet nga këto zgjedhje?
Rugova: LDK-ja do të jetë partia fituese e zgjedhjeve. Shpresa e vetme e qytetarëve është LDK-ja si partia që i ka të gjitha kredencialet për ta udhëhequr vendin. Jemi të bindur se LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet dhe do ta qeverisë vendin.

“Epoka e re”: Të gjitha partitë po thonë se do ta dalin të parat.
Rugova: Matjet e fundit po tregojnë cila është partia e parë. Në të gjitha sondazhet e fundit LDK-ja është e para. LDK-ja është lokomotiva prijatare e proceseve politike në Kosovë.

“Epoka e re”: LDK-ja në këto zgjedhje do të garojë e vetme apo do të ketë koalicione parazgjedhore?
Rugova: Është mendim i artikuluar në lidership, struktura dhe anëtarësi, që LDK-ja të shkojë e vetme në këto zgjedhje sepse lista e LDK-së do t’i ketë të gjitha potencialet që i nevojiten vendit. Besoj se LDK-ja do të garojë e vetme dhe do të dalë fituese. 

“Epoka e re”: Pavarësisht prej përpjekjeve për një bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, nuk do të ketë mundësi që këto dy parti të shkojnë me një listë në këto zgjedhje?
Rugova: Tri partitë më të mëdha në vend, LDK, PDK dhe LV, do të duhej të garojnë të vetme, pra të maten në popull dhe cila të dalë e para duhet ta qeverisë vendin. Gjithnjë e më shumë është vlerësim dhe mendim i artikuluar që LDK-ja të shkojë e vetme në këto zgjedhje sepse jemi të bindur në fitore.

“Epoka e re”: Gjendja shëndetësore e kryetarit Mustafa, a do të jetë e metë për partinë gjatë fushatës meqë nevojitet një angazhim më i madh i liderit në elektorat?
Rugova: Gjendja shëndetësore e kryetarit Mustafa duket se është stabile dhe konsideroj se ai do ta ndërtojë një ekip dhe zgjedhjet i fiton ekipi. Mbështetja, qasja dhe përvoja e tij do ta ndihmojnë shumë LDK-në në të gjitha aspektet. Pas këtyre zgjedhjeve LDK-ja do të kthehet aty ku e ka vendin, si parti e parë në nivel vendi.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe 24 vjet pas operacionit të ashtuquajtur ”Stuhia” (5 gusht…