LDK-ja do të jetë formuese dhe bartëse e qeverisë së ardhshme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai udhëheq do të jetë bartëse e ekzekutivit të ri në vend.
“Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë formuese dhe bartëse e Qeverisë së ardhshme. Nuk asnjë dyshim për këtë”, ka thënë Abdixhiku në Klan Kosova.
Ai ka thënë se është i bindur në forcën organizative që ka partia e tij.
Abdixhiku është pyetur për ndonjë koalicion të mundshëm me partitë e tjera.
“Të gjitha partitë duhet të jenë në garë. Pas zgjedhjeve mund të diskutohet për koalicione dhe besoj që do të jetë e shëndetshme, por jo para zgjedhjeve”, ka thënë Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka thënë se është shumë i lumtur për pozicionin që ka partia e tij.
Kujtojmë se në fillim të këtij muaji në bazë të sondazhit të fundit mbi zgjedhjet të realizuar nga kompania “UBO Consulting”, e të publikuar nga gazeta online Reporteri.net, nga Lidhja Demokratike e Kosovës renditet forca e tretë politike në vend.
Sipas të dhënave që siguroi gazeta online Reporteri.net, Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë me 49.5 për qind. PDK-ja ka rënë pak me 17.1 për qind ndërsa LDK-ja ka rënie pak më të madhe me 16 për qind, duke u renditur si forca e tretë politike në Kosovë.