LDK-ja dorëzon kërkesën në Kuvend për seancë të jashtëzakonshme për lojërat e fatit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar kërkesën në Kuvend për seancë të jashtëzakonshme lidhur me pezullimin e aktiviteteve të lojërave të fatit dhe kazinove.
“Ngjarjet tragjike të javës së fundit, ku në ambiente të kazinove-lojërave të fatit mbetën të vdekur dy të rinj, duket qartë se nuk janë raste të izoluara. Ekziston rreziku që ngjarje të tilla të shndërrohen në fenomen. Mbrojtja e qytetarëve, ofrimi i sigurisë dhe ambientit të qetë janë përgjegjësi të shtetit të Kosovës. Prandaj, është detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të adresojnë me urgjencë këtë fenomen përmes seancës së jashtëzakonshme. Mosveprimi i institucioneve përkatëse shtetërore në këtë moment do ta vështirësoj adresimin e këtij problemi më vonë”, është thënë në njoftimin e LDK-së.
Lidhur me këtë, Grupi Parlamentar i LDK-së ka vlerësuar se është e nevojshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të shpreh qëndrimin e vet lidhur me këto ngjarje dhe të kërkojë nga Qeveria që menjëherë të pezullojë aktivitetet e kazinove dhe lojërave të fatit, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëritën më.
“Duke pasur parasysh rëndësinë dhe urgjencën e kësaj çështjeje, Grupi Parlamentar i LDK-së i mbështetur nga disa grupe parlamentare dhe deputetë të pavarur, ka dorëzuar sot kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, për nesër me datë 22.03.2019, në orën 11:00”, është thënë në njoftimin e LDK-së.
/Epoka e re/