LDK-ja e nis fushatën e konsultimeve me qytetarë, Abdixhiku i pakujdesshëm në drejtshkrim
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka nisur me një gabim drejtshkrimor një postim për aktivitetet partiake.
Duke bërë me dije diku kah mesnata se është mbajtur takimi i parë rajonal i konsultimeve programore me qytetarët, në kuadër të një fushate nëpër regjionet e Kosovës, ai e ka bërë një huqje nëpër veta kur njoftimit i ka vënë titullin: LDK IU DËGJON, e që do të duhej të ishte LDK JU DËGJON.
Në postim, që ka edhe lëshime të tjera, por që janë të pakta e kryesisht teknike, Abdixhiku krenohet se programi politik i partisë po merr formë.
“Platforma jonë politike, ‘Lidhja për të ardhmen’ merr kuptim vetëm atëherë kur buron e ndërtohet nga qytetarët tanë, punëtorët, ndërmarrësit, grupet e interesit e profesionistët e fushave”, ka shkruar ai.
“Sonte, nën temën “Qytetet tona: Digjitalizimi, Planifikimi dhe Transformimi”, prezantuam pikëpamjet tona rreth qeverisjes lokale. Lipjani ishte nikoqir i këtij takimi. Përparimi, Xhafa, Vlora, Blerta dhe Imriu, paraqitën sfidat e vizionet e tyre. Morrëm dhe mendime e sugjerime të vlershme gjatë diskutimeve të hapura me qytetarë. Ato do të shtresohen në programin më përmbajtësor që Kosova ka patur ndonjëherë”, vazhdon Abdixhiku në postim.
Sipas tij, gjatë ditëve, javëve e muajve në vijim, LDK do të bashkëbisedojë me qytetarët në çdo anë të Kosovës e në mërgatë, derisa paralajmëron se takimi i radhës do të jetë në Pejë. “Vendi ynë ka nevojë për një projekt të ri politik, që i jep drejtim zhvillimit shoqëror, ekonomik e rrugëtimit tonë euro-atlantik. Këtë projekt të ri, do ta ndërtojmë bashkërisht sot, për ta implementuar në qeverisje nesër”, zotohet lideri I LDK-së.