LDK-ja e shqetësuar për ndotjen e ajrit në kryeqytet
Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka pranuar me shqetësim të madh njoftimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) për parametrat tejet të lartë të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe rrethinën e saj, bazuar në matjet ditore të cilësisë së ajrit që i realizon ambasada e ShBA-së në Kosovë.
“Si grup parlamentar i LDK-së shprehim indinjatën dhe reagojmë ashpër që edhe pas këtyre raporteve alarmante që rrezikojnë shëndetin e popullatës ku janë të koncentruar rreth 40 për qind e popullatës së Kosovës në kryeqytetin e Kosovës dhe rrethinën e tij, që dy ditë nga këto alarme serioze nga institucione kredibile vendore dhe ndërkombëtare, nuk kemi as më të voglin reagim nga institucionet e shtetit të Kosovës, as nga Qeveria, ministria përkatëse por edhe nga Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës si institucion kompetent për matjen dhe monitorimin e parametrave të cilësisë së ajrit në vendin tonë”, është thënë në njoftimin e LDK-së.
Ky grup parlamentar, ka bërë me dije se për shkak të kësaj gjendje, do t’i ftojnë në raportim ministren e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kryeshefin e Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, drejtorin e KEK-ut, atë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik si dhe institucionet kompetente ndërkombëtare në vendin tonë për sanimin e gjendjes së krijuar që rrezikon në masë shëndetin e popullatës së kryeqytetit të Republikës së Kosovës dhe rrethinës.