LDK-ja e treta, Merovci: Nuk e prisnim, duhet reformë brenda partisë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë një goditje të fortë në zgjedhjet e sotme në Kosovës. Ndërsa është numëruar një përqindje e madhe votash, LDK renditet forcë e tretë, pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së.
Në një intervistë për ABC, me gazetarët Endri Xhafo dhe Linda Karadaku, Adnan Merovci nga LDK tha se nuk e prisnin këtë rezultat dhe se ka ardhur koha për reformin brenda partisë.
“Nuk e kemi pritur. Duhet të jetë një forcë shtytëse për tu bërë reforma brenda LDK.LDK ekziston dhe do të ekzistojë. Është një anije që nuk ka oqean që e fundos. Ajo që duhet të na mësoje, dhe kemi marrë kurajo, që duhet reflektuar. Duhet një reflektim racional. Duhet reformë. Këto nuk janë shpikje, risi, që momenti i sotëm na ka sjellë në këtë gjendje na bën të kërkojmë këtë. Gjërat u zhvilluan shumë shpejt. Edhe zëri demokratik nuk e bëri të vetën për shkak edhe të rrethanave. Reforma kupton institucionalizimin e portës së LDK-së. Duhet t’i kthehet nocionit të vjetër, portës. Gjeneratat e reja po e kërkojnë këtë reformë nga LDK”, ka thënë ai.
I pyetur nëse po nënkupton largimin e Isa Mustafës, ai tha: “Reforma nuk e ka një adresë fikse. Nuk është fundi i fundit Isa Mustafa, ai është përgjegjësi kryesor. Fundi i fundit nuk ishte dashur që reforma të nisë nga faji. Ne duhet të jemi në frymën rugoviane. Shikim me një optikë më reale, lënie anash e interesave dhe inateve. Reformë nënkuptohet bashkëveprimi dhe përfitimi maksimal nga gjeneratat e reja”.
Merovci e pranon se një nga shkaqet e këtij rezultati për LDK, është edhe largimi i Vjosa Osmanit nga kjo forcë politike.
“Zonja Osmani është një bijë e jona. Ne i themi familja e amës së saj është LDK dhe ajo nuk e harron shtëpinë e vet. i ka disa dajë të fortë që do ta sjellin në shtëpi. kjo nuk duhet kuptuar si luftë mes atyre që e kanë sjellë në këtë gjendje. Vendimi i saj mund të themi ishte edhe personal”, ka deklaruar ai.