LDK-ja ende s’i ka zgjedhur emrat për ministra, seanca mbahet shumë shpejt
Lidhja Demokratike e Kosovës do ta udhëheqë qeverinë e re e cila pritet të votohet këto ditë. E dalë e dyta nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, LDK-ja në krye me Isa Mustafën e ka fituar në Gjykatë Kushtetuese “luftën” për mandatarin, kurse Avdullah Hoti i kësaj partie pritet të bëhet shef i qeverisë. Megjithatë, seanca do të thirret pasi që të publikohet aktgjykimi i plotë.
Në Selinë Qendrore të LDK-së në Prishtinë, një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e dekretit të mandatarit, u mblodhën figurat kryesore të kësaj partie. Të thirrur nga Isa Mustafa, në LDK u diskutua për vendimin që i jep të drejtë kësaj partie për kandidatin për kryeministër.
Para nisjes së takimit, shefi i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, tha se votimi i qeverisë së re mund të thirret nesër ose të hënën. Nuk e la pa e quar një mesazh as për shefin e qeverisë në detyrë, Albin Kurti, me të cilin bashkëpunimi në koalicion u zgjati 50 ditë.
Mustafa tha se nuk besojnë se do të hasin në rezistencë për t’i liruar zyrat e qeverisë e, sipas tij, një gjë e tillë ndodh vetëm në vendet totalitare të Afrikës.
“Mbledhje të kryesisë nuk kemi, ka konsultime lidhur me thirrjen e seancës së Kuvendit. Tani do të shohim edhe me kryetarin e grupit parlamentar dhe me kandidatin tonë për kryeministër se kur do thirret mbledhja e Kuvendit, por edhe me partneret tanë, AAK-në, Nismën dhe partnerët e tjerë… tani ekziston një mundësi që një seancë të mbahet nesër. Ekziston edhe mundësia që të mbahet të hënën”, ka thënë Mustafa.
Me të dalë nga takimi, ku pjesë mori i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti, e shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës e dhanë edhe një deklaratë për media.
Kësaj radhe, Gashi, ndryshe nga Mustafa, tha se kërkesën për seancë për votimin e qeverisë do ta bëjnë pasi që të publikohet aktgjykimi i plotë nga Kushtetuesja për mandatarin.
Deputeti i LDK-së tha se ka pasur edhe një takim konsultativ me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani që, siç thotë ai, do ta respektojë vendimin e gjykatës.
LDK-ja ende nuk ka caktuar emrat e ministrave, ani pse që nga mocioni për rrëzimin e qeverisë Kurti është raportuar se disa prej ministrave aktualë ka gjasë të mos jenë në qeverinë e re. Disa dikastere që LDK-ja kishte në qeverinë Kurti, me marrëveshjet e reja u takojnë partive të tjera.
Nuk dihet se kur nga Kushtetuesja do ta bëjë publik aktgjykimin e plotë. Në njoftimin që është bërë mbrëmë nga ky institucion, kanë thënë se një gjë e tillë do të ndodhë në ditët në vijim.
Përveç nga LDK-ja, vendimin e Gjykatës e kanë përshëndetur edhe partitë e tjera. Në AKR thonë se nuk do të jenë pjesë e qeverisë Hoti. Pa u deklaruar për këtë temë deri më tani ka mbetur kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Nënkryetarja e LDK-së mund të mbetet pa pozitë në rast se Vetëvendosja në seancën ku votohet Hoti për kryeministër, propozon dikë tjetër në krye të Kuvendit. /GazetaExpress/