LDK-ja është e hapur që ta përkrah komisionin hetimor që e ka propozuar pozita
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka thënë se kjo parti është e hapur që ta mbështes edhe Komisionin Hetimor për energjinë të propozuar nga pozita në Kuvendin e Kosovës.
“Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u dakorduam se e drejta e opozitës është e pakontestueshme. Më këtë rast kërkesa për formimin e Komisionit Hetimor parlamentar do të realizohet dhe po ashtu jemi të hapur të votojmë edhe për formimin e komisionit hetimor parlamentar nga radhët e pushtetit”, ka thënë Gashi në një konferencë për media.
Ai ka konfirmuar se ka pajtim mes pozitës dhe opozitës që sot në Kuvendin e Kosovës të votohen dy komisione hetimore për krizën në energji.
“Kemi pajtim që të formohen dy komisione parlamentare dhe që Kuvendi t’i kthehet normalitetit. Sjellja e papërgjegjshme po shpresoj që ka marrë fund dhe Kuvendi duhet me punën e vet normale në mënyrë që të marrim vendime, miratojmë ligje dhe të kryejmë funksionet e tona kushtetuese dhe politike”, ka thënë Gashi, duke bërë me dije se deputeti Driton Selmanaj do të jetë kryesues i Komisionit Hetimor për krizën energjetike, i propozuar nga opozita.