LDK-ja është për dialog, por jo për këtë format
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sali Asllanaj, ka bërë me dije se kjo parti nuk e mbështet formatin aktual të dialogut të udhëhequr nga presidenti Hashim Thaçi.
“LDK-ja është për dialog, por jo për këtë format dhe është kundër udhëheqjes së këtij procesi nga presidenti Thaçi. Ky është qëndrim zyrtar dhe i pandryshueshëm”, ka thënë Asllanaj në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”.
Ai ka vlerësuar se konsensusi politik për dialogun me Serbinë duhet të arrihet në Kuvend e jo përmes institucioneve të tjera.
Asllanaj ka theksuar se strukturat më të larta të LDK-së kanë pasur takime me faktorin ndërkombëtar, të cilit i kanë prezantuar qëndrimin e kësaj partie për dialogun. Ai e ka quajtur të vështirë arritjen e këtij konsensusi për këtë proces por, sipas tij, nuk është i pamundur.
“Epoka e re”: Z. Asllanaj, ka ndryshuar qëndrimi i LDK-së karshi dialogut me Serbinë?
Asllanaj: Më herët është takuar Kryesia e LDK-së dhe ka biseduar për këtë punë. Kemi dalë me qëndrim zyrtar: LDK-ja është për dialog, por jo për këtë format dhe është kundër udhëheqjes së këtij procesi nga presidenti Thaçi. Ky është qëndrimi ynë zyrtar dhe i pandryshueshëm.
“Epoka e re”: LDK-ja e pati votuar Thaçin për president pikërisht në kohën kur flitej se dialogu do të udhëhiqej nga presidentët.
Asllanaj: Mendoj se ky arsyetim nuk është i qëndrueshëm sepse LDK-ja ka votuar Thaçin për presidentin kur Mustafa është votuar për kryeministër. Kjo ka qenë në kuadër të marrëveshjes e cila nuk ka qenë e përhershme.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej refuzimit të LDK-së për ta mbështetur dialogun në vazhdimësi, po bëhet thirrje për arritjen e konsensusit për këtë proces.
Asllanaj: Për tema të mëdha kombëtare gjithmonë duhet të ketë konsensus, por ky konsensus duhet të arrihet në Kuvend e jo përmes institucioneve të tjera, sepse Kuvendi është organi më i lartë në Kosovë.
“Epoka e re”: Besoni se mund të arrihet ky konsensus?
Asllanaj: Së paku me LDK-në mund të arrihet konsensusi, kurse për partitë e tjera nuk mund të garantoj. LDK-ja gjithmonë ka qenë bashkëpunuese kur i është kërkuar për procese të mëdha.
“Epoka e re”: Opozita nuk po e përkrah këtë format dhe këtë udhëheqje të dialogut. Ka kohë që të ketë ndryshime në këtë drejtim?
Asllanaj: Nëse ka vullnet gjithmonë gjendet koha, por nëse nuk ka vullnet gjenden justifikime të ndryshme. Në Kuvend do të mund të arrihet konsensusi si dhe të ndërtohet një platformë me vija të qarta se çfarë duam nga dialogu me Serbinë. Për këtë proces duhet një bashkëpunim i shumicës së forcave politike në vend.
“Epoka e re”: Një platformë për dialog është tërhequr nga Kuvendi për shkak të mungesës së konsensusit.
Asllanaj: Ajo ka qenë platformë shumë e zbrazët dhe pa asnjë koncept. Qëllimi kryesor i saj ka qenë që Thaçi të nominohet si udhëheqës i bisedimeve. Ajo platformë, sipas LDK-së, nuk ka pas asgjë konkrete, pra nuk ka pasur afatizim dhe kërkesa të qartë të Kosovës karshi bisedimeve me Serbinë.
“Epoka e re”: Ju po thoni se duhet të arrihet një konsensus për procesin e dialogut, në anën tjetër nuk po merrni pjesë në takimet që po thirren për këtë çështje. Rasti i fundit ishte të hënën kur LDK-ja bojkotoi takimin e thirrur nga kryeparlamentari Veseli.
Asllanaj: As Veseli dhe askush tjetër nuk e mban të drejtën që në këtë formë dhe pa konsultime paraprake të dërgojë ftesa dhe të mbajë takime të tilla. Nuk duhet bërë ftesa vetëm sa për opinion sepse dështojnë takimet.
“Epoka e re”: Si e sheh tash e tutje LDK-ja vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi?
Asllanaj: Bisedimet me Serbinë janë të pashmangshme sepse, tekefundit, jemi fqinjë dhe problemet duhet t’i zgjidhim me dialog dhe gjithnjë duke e mbrojtur interesin e Kosovës, meqë variantet e tjera janë të këqija. Kjo mund të arrihet pikërisht me anë të një bashkëpunimi të gjerë në mes të forcave kryesore politike dhe me një platformë të qartë. Mosarritja e një bashkëpunimi të tillë ndoshta është si pasojë e bashkëpunimeve të mëhershme të cilat nuk kanë qenë të sinqerta dhe janë shikuar me dyshime permanente. Këto dyshime e kanë bazën nga mosbashkëpunimi i sinqertë në të kaluarën. Tash duhet të punohet gjatë për ta kthyer besimin reciprok, sepse kur nënshkruhen marrëveshjet duhet të zbatohen. LDK-ja në vazhdimësi i ka zbatuar marrëveshjet edhe atëherë kur Thaçi është votuar për president, por pas një periudhe të shkurtër PDK-ja ka votuar pro rrëzimit të Qeverisë Mustafa. Sido që të jetë, LDK-ja është për arritjen e konsensusit, por jo për këtë format dhe për këtë udhëheqje të dialogut.
“Epoka e re”: Meqë nuk po e pranoni Thaçin në krye të dialogut, keni ndonjë emër i cili mund të zëvendësojë atë?
Asllanaj: Jo. LDK-ja mendon se Qeveria duhet ta udhëheqë dialogun sepse Kuvendi kontrollon Qeverinë. Pastaj Qeveria do të mund të krijonte një delegacion gjithëpërfshirës për t’i zhvilluar bisedimet me Serbinë. Gjithmonë, së paku në ratifikimin e marrëveshjeve, Kuvendi e ka fjalën e fundit dhe LDK-ja e mban të drejtën që në Kuvend ta thotë fjalën e vet, por në këtë momentum grupi parlamentar nuk e pranon bartjen e dialogut nga Qeveria tek presidenti.
“Epoka e re”: Duke mos e përkrahur dialogun dhe duke mos u bërë pjesë e tij, a po përpiqet LDK-ja ta heqë përgjegjësinë e këtij procesi?
Asllanaj: Përgjegjësia është institucionale dhe LDK-ja në Kuvend, si partia më e madhe opozitare, e bart përgjegjësinë e vet kur kjo çështje do të vijë për diskutim. LDK-ja nuk mund të marrë përgjegjësi që nuk i takojnë. Do t’i marrim përgjegjësitë që na takojnë si grup parlamentar karshi forcës politike që kemi, pra as më tepër e as më pak.
“Epoka e re”: Keni pasur takime me faktorin ndërkombëtar për t’ia bërë të qartë se LDK-ja nuk e përkrah në asnjë rrethanë këtë format të dialogut?
Asllanaj: Strukturat më të larta të LDK-në kanë pasur takime me faktorin ndërkombëtar ku është prezantuar qëndrimi ynë për dialogun.
“Epoka e re”: Ju po thoni se konsensusi duhet të arrihet në Kuvend për çështjen e dialogut dhe çështjet e tjera, por Kuvendi nuk është duke funksionuar si duhet në mungesë të kuorumit. Është LDK-ja ajo që po i bojkoton seancat kohët e fundit.
Asllanaj: Gjithmonë po kërkohet nga LDK-ja që të sakrifikohet për interesa të Kosovës, por duke i shkelur disa parime të saj, si dhe duke i dëshpëruar shpeshherë edhe votuesit. LDK-ja do të veprojë në bazë të përgjegjësive të veta, por gjithmonë duke mos pretenduar që ne do ta bëjmë kuorumin në Kuvend. Partitë në pushtet e kanë për obligim ta sigurojnë kuorumin, pastaj eventualisht për tema të mëdha do të duhej të kërkojnë përkrahjen e opozitës. Mirëpo jo në këtë formën siç po pretendohet të ndodhë tani, që Qeveria e pakicës të udhëheqë, kurse LDK-ja t’i kryejë punët e të tjerëve.
“Epoka e re”: Koalicioni qeverisës nuk po sillet si duhet karshi opozitës?
Asllanaj: E kaluara e ngarkon shumë raportin në mes të subjekteve politike dhe kjo është fatkeqësi. Megjithatë, duhet të arrihet konsensusi në mes të partive kryesore në mënyrë që proceset e mëdha të kalojnë pa dhimbje, por jo duke e injoruar opozitën dhe LDK-në si forcën kryesore politike në vend.
“Epoka e re”: Meqë proceset e mëdha nuk po shkojnë ashtu siç po kërkon LDK-ja, a do të inicioni mocion të mosbesimit?
Asllanaj: LDK-ja që disa muaj është duke e analizuar mundësinë që përmes mocionit të mosbesimit ta shkarkojë Qeverinë, por aktualisht nuk janë votat e mjaftueshme. LDK-ja nuk është e interesuar të bëjë një mocion dhe të dështojë. Në momentin që shohim se ky mocion mund të kalojë, do ta iniciojmë.
“Epoka e re”: Si mund të shkohet në zgjedhje kur nuk i keni numrat për ta rrëzuar Qeverinë
Asllanaj: Nëse ka mirëkuptim mund të shkohet në zgjedhje. Partitë në pushtet duhet ta kuptojnë se nuk mund të funksionojnë kështu. Nuk qeveriset me pakicë sepse një qeverisje e tillë nuk ka legjitimitet. Prandaj liderët politikë duhet të takohen dhe të bisedojnë gjatë, sepse për proceset e mëdha është i nevojshëm konsensusi. Dialogu me Serbinë nuk është çështje e një partie politike apo e një qeverie, por e gjithë spektrit politik. Ka hapësirë për arritjen e këtij konsensusi, por partitë në pushtet po përdorin injorancën.
“Epoka e re”: Mund të arrihet ky konsensus deri në shtator kur edhe është paralajmëruar takimi i radhës Thaçi – Vuçiq?
Asllanaj: Duke e pasur parasysh situatën në të cilën gjendemi, është vështirë të arrihet ky konsensus, por nuk është e pamundur. Duhet të punohet shumë në këtë drejtim, pa pretenduar se LDK-ja do të zmbrapset nga qëndrimet e veta.
Shqipe HETEMI