LDK-ja harton rezolutë për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është në përgatitje të një rezolute të cilën do ta dorëzojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës me qëllim të trajtimit më efektiv të rasteve të dhunës seksuale dhe ngacmimit seksual nga mekanizmat ekzistues institucional në Republikën e Kosovës.
Me iniciativë të LDK-së dhe mbështetje të fondacionit gjerman Konrad Adenauer, Zyra në Kosovë, të martën është organizuar një tryezë diskutimi me temën: “Politikat dhe veprimet kundër dhunës seksuale dhe ngacmimit seksual në Kosovë”, ku kanë marrë pjesë kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku dhe deputetja Doarsa Kica Xhelili.
“Përveç konfirmimit që jemi duke u ballafaquar me një urgjencë nacionale, u rikonfirmua edhe domosdoshmëria që të ketë një riaktivizim mbi një qasje praktikisht proaktive në këtë drejtim. Ekzistimi i rasteve të recedivizmit të pandëshkuar është tejet shqetësues, sikurse janë veprimet e ndërmarra në përgjithësi në fazën parapenale. Vonesat që rrjedhin nga lëndët e shumta në trajtimin e këtyre rasteve, po shërbejnë si dekurajim për viktimat që t’i raportojnë këto krime, sikurse po shërbejnë për një lloj amnistie që po i bëhet kryerësve të këtyre veprave, sidomos me parashkrimin e lëndëve. Problem del të jetë edhe forma e trajtimit të rasteve me rastin e raportimit në Policinë e Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës ka zero tolerancë për këto raste dhe do të angazhohet fuqimisht në identifikimin dhe adresimin e të gjitha mjeteve të nevojshme përmes rrugëve institucionale për të shtyrë përpara procese që përfundimisht do të ndihmojnë në adresimin e barrierave ligjore dhe institucionale që pengojnë sundimin e ligjit në këtë drejtim”, ka njoftuar LDK-ja.