LDK-ja: Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar për rrahjen në mes të deputetëve dhe ministrave sot në Kuvendin e Kosovës.
LDK-ja ka thënë se pamjet e tilla nuk e kanë vendin në Kuvend dhe sipas tyre sot “ishte një ditë tjetër e rëndë në historinë parlamentare të Republikës”.
“Pamjet e shëmtuara të dhunës nuk e kanë vendin në Kuvendin e Republikës. Nuk e kanë pasur asnjëherë – as në të shkuarën – as tani. Sot, ishte një ditë tjetër e rëndë në historinë parlamentare të Republikës. Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përpalsjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj. LDK-ja do të vazhdojë, si gjithherë, të mbrojë dhe ushtrojë vlerat bazike demokratike e shtetare në çdo sjellje të saj, brenda sallës së Kuvendit të Republikës dhe jashtë saj”, është thënë në reagimin e LDK-së.