LDK-ja iu afrua LV-së për inati të PDK-së
Sekretarja organizative e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit shpërfaqen nevojën për një reformë të thellë zgjedhore.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se Kosova duhet t’i themelojë sa më parë institucionet e veta. Kadaj-Bujupi ka thënë se, ndonëse jo me rezultate të synuara zgjedhore, AAK-ja ka shënuar rritje të mbështetjes popullore në zgjedhjet e 6 tetorit dhe ka mundësuar përfaqësim dinjitoz parlamentar.
Ajo ka thënë se opozitarizmi i AAK-së do të jetë në shërbim të interesit të përgjithshëm. Kadaj-Bujupi ka thënë se tani presin të shohin se çfarë politika do të zhvillojë Qeveria e re e Kosovës në raport me dialogun me Serbinë, me projektet për “Zajednicë” dhe korrigjimin e kufijve.
Duke e komentuar bashkëpunimin LV-LDK, ajo ka thënë se afrinë e sotme me LV-në, LDK-ja e ka më shumë për inati të PDK-së që ia ndërpreu bashkëqeverisjen në vitin 2017.
“Epoka e re”: Znj. Kadaj-Bujupi, cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet e 6 tetorit, kur tanimë jemi vetëm në pritje të certifikimit të rezultatit të tyre?
Kadaj-Bujupi: Së pari Kosova dëshmoi se ka kapacitete institucionale dhe frymë shoqërore për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike. Së dyti, Kosova po dëshmon se mund ta bëjë rotacionin e pushtetit në mënyrë demokratike. Nga ana tjetër, duket se edhe ky proces zgjedhor shpërfaqi nevojën për një reformë të thellë zgjedhore, e cila do të mundësonte që vullneti i sovranit të implementohet shpejt dhe saktë, pa deformime nga palët e treta.
“Epoka e re”: Si AAK keni qenë të bindur se do të dilni të parët në këto zgjedhje. A keni bërë ndonjë analizë si parti për t’i gjetur shkaqet e këtij rezultati jo të mirë, edhe pse drejtonit qeverinë dhe kishit një koalicion me PSD-në?
Kadaj-Bujupi: Ndonëse jo me rezultate të synuara zgjedhore, lista jonë ka shënuar rritje të mbështetjes popullore dhe ka mundësuar përfaqësim dinjitoz parlamentar për t’i shtyrë politikat dhe programin tonë parazgjedhor të paraqitur në këtë proces zgjedhor. Megjithatë, duket se temat dhe agjendat e Qeverisë Haradinaj, si dhe të programit parazgjedhor të koalicionit AAK-PSD, nuk kanë mundur të adresohen sa duhet. Nga ana tjetër ka prirje për të krijuar një përshtypje të gabuar apo subjektive në opinionin publik. Atë se qytetarët kanë ndëshkuar me votë qeverinë Haradinaj. Përbërja e re e Kuvendit dëshmon se partitë që e kanë përbërë koalicionin qeverisës kanë marrë së bashku më shumë deputetë sesa që kishin para zgjedhjeve të 6 tetorit, ndryshe nga dy ish-partitë opozitare që kanë sot më pak deputetë së bashku se në 2017-n. Sigurisht se kjo nuk nënkupton se në garime të ndryshme ose me koalicione të tjera (para)zgjedhore do ta kishim rezultatin e sotëm, por nuk duhet anashkaluar edhe këtë fakt të sipërmendur.
Edhe kjo zhurma që po bëhet lidhur me largimin e PDK-së nga pushteti po shpërfytyrohet. PDK-në nuk e rrëzoi nga pushteti LV-ja dhe LDK-ja, por Ramush Haradinaj, duke e rrëzuar edhe PDK-në nga pushteti, nëpërmjet dorëheqjes së tij si kryeministër. Së dyti, AAK-ja ia zvogëloi gjasat PDK-së t’i fitojë zgjedhjet duke mos pranuar t’i bashkohet para dhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, e kjo po “harrohet” shpeshherë nga qarqet e caktuara, që po përpiqen me dashakeqësi për t’i homogjenizuar ish-partitë e pushtetit. Nuk ka pasur kundërshtar më të madh politik të presidentit Hashim Thaçi se Ramush Haradinaj, edhe atë nga pozita e kryeministrit. Është hipokrite që kjo të mohohet. Ramush Haradinaj dhe AAK-ja kundërshtuan presidentin Thaçi nga opozita, por sidomos nga pozita e pushtetit. Ramush Haradinaj dhe AAK-ja rrëzuan edhe veten nga pushteti për t’i bllokuar politikat e presidentit Thaçi, të mbështetura heshtazi nga PDK-ja.
LDK-ja, që trumbeton vazhdimisht anti-thaçizëm, për nevoja elektorale e zgjodhi atë president vetëm për të ardhur dhe për të mbetur në pushtet, si dhe vajtonte se PDK-ja dhe presidenti Thaçi ia ndërprenë bashkëqeverisjen. Afrinë e sotme me LV-në, LDK-ja e ka më shumë për inati të PDK-së që ia ndërpreu bashkëqeverisjen në 2017-n. Sidoqoftë, si AAK duhet edhe të nxjerrim mësime nga procesi i fundit zgjedhor. Fakti se kemi qenë bartës të qeverisë e cila edhe u përball me presione të mëdha nga projekti i rrezikshëm për ndarjen e Kosovës në emër të korrigjimit të kufijve na mori shumë energji edhe si parti politike. Tashmë kemi më shumë mundësi, kohë dhe hapësirë për t’u marrë me partinë. Menjëherë kemi filluar një proces të brendshëm reformues dhe po fokusohemi që ta përtërijmë dhe shtrijmë partinë në aspektin strukturor si dhe ta pasurojmë dhe thellojmë në aspektin ideopolitik.
“Epoka e re”: Ka mendime të ndryshme nga opinionistë se mund të mos ndodhë formimi i institucioneve e që vendi të shkojë sërish në zgjedhje. A besoni se LV-ja dhe LDK-ja mund të arrijnë një marrëveshje për bashkëqeverisje duke ditur raportet e mëhershme dhe pikëpamjet e elektoratit të tyre, dhe si e shihni ecurinë e këtij koalicioni në rast se arrihet?
Kadaj-Bujupi: Kosova duhet t’i themelojë sa më parë institucionet e veta. Sa i përket mundësisë së një qeverie midis LDK-së dhe LV-së, tërë procesi i bashkëpunimit të tyre para dhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit shpërfaqin dallimet e mëdha që mbretërojnë midis tyre jo vetëm për nga aspekti ideologjik. Ende nuk i kemi dëgjuar qartësisht se cili është qëndrimi i tyre i përbashkët për temat që quhen të mëdha dhe që janë jetike për të ardhmen e Kosovës. Por, ajo që është e qartë është se nuk ka subjekte politike që dallojmë më shumë midis tyre në Kosovë se LV-ja dhe LDK-ja si për nga aspekti ideologjik, po ashtu edhe për nga pikëvështrimi i tyre për të kaluarën dhe për të ardhmen.
“Epoka e re”: Qeveria e re ka shumë tema që e presin. Një prej tyre është dialogu me Serbinë, për të cilën temë edhe ndërkombëtarët po kërkojnë përshpejtim të negociatave. Cili do të jetë roli i AAK-së në këtë temë dhe në temat e tjera që janë në interes të shtetit?
Kadaj-Bujupi: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dëshmuar se e mbron në mënyrë të pakompromis interesin e shtetit, e sidomos kur e drejton shtetin, atëherë kur më së shumti ke përgjegjësi për ta mbrojtur. Për këtë, edhe jo rrallëherë, kemi marrë vendime jopopullore që kanë ndikuar edhe në popullaritetin tonë partiak. Opozitarizmi ynë do të jetë në shërbim të interesit të përgjithshëm. Ta shohim se çfarë politika do të zhvillojë Qeveria e re e Kosovës në raport me dialogun me Serbinë, me projektet për “Zajednicë”, korrigjim të kufijve etj. Cili do të jetë fati i tarifës doganore për mallrat e Serbisë? Ç’nënkuptojnë me reciprocitet? Si do t’i qasen çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, kur Albin Kurti dhe Shpejtim Bulliqi thonë se nuk është çështje e mbyllur, ndërsa Isa Mustafa se është e mbyllur? Politikat e tyre socio-ekonomike etj?
“Epoka e re”: Nëse do të merrnit ndonjë ofertë për bashkëqeverisje me LV-në dhe LDK-në, do ta shtronit si diskutim në organet e partisë apo do të vazhdoni si opozitë?
Kadaj-Bujupi: Nuk kemi marrë asnjë ofertë për bashkëqeverisje nga LV-ja ose nga LDK-ja, të cilat ka më se dy vjet që proklamojnë se do ta themelojnë bashkërisht qeverinë e ardhshme të Kosovës.
“Epoka e re”: Znj. Kadaj-Bujupi, ju edhe në këtë mandat jeni zgjedhur deputete. Çfarë prisni nga kjo legjislaturë dhe a mendoni se do ta përfundojë mandatin deri në fund?
Kadaj-Bujupi: Ky është mandati im i pestë si deputete e Kuvendit të Republikës, për të cilin kam edhe më shumë përgjegjësi, meqë votuesi i AAK-së më besoj përfaqësimin, edhe pse në zgjedhjet paraprake garova në listën e një subjekti tjetër. Do të dëshmoj përsëri se përfaqësimin parlamentar e kuptoj mbi të gjitha si bashkëveprim dhe si bashkëpjesëmarrje me qytetarë. Shpresoj se kjo legjislaturë do ta përfundojë mandatin e plotë, por kjo do të varet edhe nga përbërja, formati, programi, politikat dhe qëndrueshmëria e ekzekutivit, që përcakton pothuajse çdoherë edhe afatin e mandatit të legjislativit.