LDK-ja i jep dorën Qeverisë që do t’i fusë duart në Fondin e Privatizimit
Albin Kurti
Mbledhja e fundit e Kuvendit të Kosovës ishte të premten e 30 marsit 2018. Aty deputetët intensivisht u morën me dëbimin e gjashtë shtetasve të Turqisë në mënyrë që të mos merreshin me këtë çështje: nuk kaloi votimi për debat. Mirëpo, në po atë mbledhje, kaloi një çështje tjetër e rëndësishme dhe atë pa debat fare. Në lexim të dytë, shpejt e shpejt, duke kapërcyer dy pika paraprake të rendit të ditës, u votua Raporti me rekomandime për Projektiligjin nr.06/L-023, për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (dy herë i plotësuar e ndryshuar më herët).
Me këtë raport të Komisionit për Buxhet dhe Financa, kjo qeveri i fut duart në atë që njihet si Fond i Privatizimit e i cili është më i trashë se 600 milionë euro nga ato mbi 60 valë të privatizimit përgjithësisht të egër e abuziv. Natyrisht, aty thuhet edhe se mjetet e marra të fondit të përkohshëm do të kthehen kur fondi i mbetur në mirëbesim i Ndërmarrjes Shoqërore përkatëse është i pamjaftueshëm për përmbushjen e kërkesave kreditore në procesin e likuidimit, mirëpo kjo çështje kollaj do të mund të bëhet barrë veçse për qeverinë pasardhëse.
Amandamenti 2, ndryshonin nenin 1, duke lejuar investimet e mjeteve të privatizimit në letrat me vlerë, me qëllim të rregullimit të trajtimit të “fondeve të mbetura”, trajtimit të “fondeve të përkohshme” si të hyra në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës. Në amandametin 4, ndryshohet neni 4, paragrafi 3, duke thënë se “Fondet e Përkohshme, nëse ka të tilla, barten nga Agjencia në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës, në një llogari të veçantë në Thesarin e Kosovës, të cilat fonde të përkohshme përdoren për investime që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit”.
Në shikim të parë, sigurisht që është mirë të aktivizohet Fondi i Privatizimit për “zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit”. Mirëpo, janë tri probleme kapitale këtu:
1. Pa një vizion zhvillimor socio-ekonomik e nacional nuk mund të pretendosh që ndryshimet e këtilla do të sjellin rezultatet që mund t’i kemi të vagullta si përfytyrime të progresit e mirëqenies. Për më tepër, se çka quajmë “zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit” dhe cila është mënyra e arritjes së tij me siguri se ka shumë dallime të mëdha midis – e mbase edhe brenda – partive politike. Nevojitet paraprakisht një strategji gjithpërfshirëse me disa ligje të reja të integruara për ta synuar edhe vetëm në parim “zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit”. Lëvizja VETËVENDOSJE! para gati një viti ka propozuar trininë Fond Sovran – Agjenci Zhvillimore – Bankë Zhvillimore. Tek të tjerët nuk kemi parë propozime.
2. Në kohën kur ne kemi një pushtet me korrupsion të pashembullt madje edhe për rajonin, ta marësh dhe fondin e privatizimit dhe t’ia dhurosh Qeverisë, do të thotë t’ia dhurosh edhe paratë e privatizimit për t’i transferuar tutje tek strukturat klienteliste të saj. Qeveria me 5 zëvendës-kryeministra, 21 ministra dhe mbi 70 zëvendësministra, qeveria që ia rrit pagat vetvetes pasi që ka nënshkruar kontratë aq të dëmshme me Fondin Investiv Contour Global të cilit ia paguan tatimin dhe këstet e kredive duke ia garantuar kredimarrjen, tregun dhe fitim me shkallë prej 18,5% të kthimit të brendshëm, nuk do të duhej t’i rritet qasja në fondet tona, por t’I shkurtohej jeta në pushtet.
3. Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit ka shumë probleme dhe mosinvestimi i fondeve në ekonominë e Kosovës, është vetëm një nga ato. Kemi parë në të kaluarën që AKP ka probleme serioze në vendim-marrje. Të trajtosh Ligjin për AKP dhe të mos flasësh për super-fuqinë e anëtarëve ndërkombëtar të Bordit të AKP, është absurde. Kemi pasur situata kur këta anëtarë kanë rezistuar kërkesën për vlerësimin e arritjeve të procesit të privatizimit, madje ndonjëherë duke bërë kërcënim me këdo që brenda AKP ka guxuar të ngrisë dilemën nëse do të duhej të vazhdonim privatizimin e egër dhe të parregulluar, pa i vlerësuar efektet e deritanishme të tij. Sot e kësaj dite pika 9 e nenit 14 të këtij ligji, jep fuqi absolute për anëtarët ndërkombëtarë të Bordit të AKP-së. Të tre anëtarët ndërkombëtarë mund të pezullojnë cilindo vendim të marrë nga Bordi, thua se kemi të bëjmë me një agjenci që mbushet nga fondet e huaja, e jo nga shitja e pasurisë sonë.
Nuk do të ishte problematik kthimi i mjeteve të privatizimit në Kosovë, përderisa ato mund të investohen në projekte me normë të kthimit më të lartë se norma e rritjes ekonomike në vend. Kjo nënkupton transferimin e këtyre mjeteve në ndonjë fond investiv që do të shfrytëzonte të njëjtat vetëm për projekte në ato sektore të ekonomisë që shihen si bartës të zhvillimit ekonomik. Por, kjo nuk është ideja prapa kësaj kërkese. Problemi qëndron diku tjetër: Kosova është duke huazuar me ritëm të lartë në tregun e kapitalit për të financuar borxhin publik. Në mungesë të rankimit ndërkombëtar, i vetmi opsion është huamarrja brenda vendit dhe atë nga sistemi bankar, duke shfrytëzuar rezervat shtesë të depozitave. Mirëpo, në mungesë të një tregu sekondar me bono të qeverisë, kjo mundësi e huamarrjes shtjerret shumë shpejt dhe i pamundëson qeverisë të operojë me deficite. Andaj si zgjidhje e ndërmjetme shihet përdorimi i mjeteve të privatizimit. S’do mend që do të përdoret vetëm për projekte në asfalt, me normë kthimi zero, ose normë negative kthimi kur dihet përmasa e korrupsionit në prokurimin publik dhe në menaxhimin e kontratave strategjike.
Ideja fillestare për keqpërdorimin e këtyre mjeteve ka ardhur nga LDK-ja, dhe tash kjo qeveri po përfiton ngaqë e ka lehtë ta detyrojë LDK-në ta mbështesë. Pas votimit të fshehtë për guvernatorin e ri të BQK-së ku hapur u pa se shumica e deputetëve të LDK-së mbështetën kandidatin e PDK-së, Fehmi Mehmeti, ky është rasti i dytë ku LDK dëshmon se mbështet regjimin në fuqi dhe se në opozitë është veçse formalisht. A po mendon LDK-ja se PDK-ja do ta zhvillojë Kosovën, që po ia jep paratë e privatizimit qeverisë së PDK-së? Apo ky ligj është pasojë e marrëveshjeve të PDK-së me opozitën “lojale”, të cilën shpejt mund ta thërrasë në bashkëqeverisje?