LDK-ja i jep mbështetje aksionit të policisë në veri

26 mars 2018 | 22:01

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka dhënë mbështetje aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në veri me rastin e arrestimit të zyrtarit të lartë serb, Marko Gjuriqit.

Kjo parti përmes një komunikate për media ka theksuar se provokimet e vazhdueshme të Serbisë rrezikojnë destabilitetin në rajon.

“LDK-ja do të jetë e vendosur të mos lejojë askënd të nëpërkëmb shtetësinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Reagimi i plotë i LDK-së:

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka përcjellur me vëmendje ngjarjet e sotme në veri të vendit.

LDK-ja, si gjithherë, e vlerëson profesionalizmin e treguar nga Policia e Kosovës dhe u jep mbështetje të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në ushtrimin e sovranitetin shtetëror në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Njëkohësisht, LDK-ja dënon provokimet e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë, dhe fton komunitetin ndërkombëtarë të përdorë ndikimin për të parandaluar provokimet e tilla që rrezikojnë stabilitetin në rajon.

LDK-ja kërkon që ngjarjet e tilla të mos përdoren për qëllime politike nga askush. LDK-ja shpreh besimin se veprimet e institucioneve të Kosovës janë të mbështetura edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Si partia më e madhe politike në vend, LDK-ja do të jetë e vendosur të mos lejojë askënd të nëpërkëmb shtetësinë e Kosovës dhe do të kërkojë përgjegjësi institucionale nga të gjitha institucionet e mandatuara sipas Kushtetutës për të mbrojtur rendin, sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arrestimi i Marko Gjuriqit në Kosovë, ishte një veprim i…