LDK-ja ka angazhuar ekspertë për rimëkëmbjen ekonomike
Isa Mustafa ka thënë sot se një ekip i ekspertëve të LDK-së po e bën planin për rimëkëmbjen ekonomike pas COVID 19.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka njoftuar se në Lidhjen Demokratike të Kosovës është angazhuar një ekip ekspertësh për t’i identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare nga pasojat e koronavirusit.
Në një shkrim në llogarinë e vet në “Facebook”, Mustafa ka treguar se prioritet themelor do të jetë mbështetja e sektorit privat të ekonomisë dhe e punësimit si dhe masat lehtësuese për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera.
Shkrimi i tij:
Qytetarë të respektuar,
Ballafaqimi me pasojat COVID-19 do të jetë mbi te gjitha prioritetet.
Në LDK është angazhuar një ekip ekspertësh, për të identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare nga pasojat e këtij virusi; për konsolidimin e mëtejmë të sektorit shëndetësor dhe atij të arsimit.
Do të trajtohen të gjitha burimet dhe potencialet e brendshme dhe të jashtme financiare, do të analizohet strukturimi emergjent i buxhetit në aspektin e konsumit, kursimit dhe likuiditetit dhe masat për likuiditetin e sektorit financiar në tërësi.
Prioritet themelor do të jetë mbështetja e sektorit privat të ekonomise dhe e punësimit si dhe masat lehtësuese për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera. IM