![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/08/ldk.jpg)
LDK-ja: Kërcënimi i qeverisë ndaj grevistëve është praktikë tipike autokratike
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur të premten një konferencë për medie, ku anëtarja e Kryesisë Jehona Lushaku, ka shprehur shqetësimin ndaj kërcënimit që qeveria iu bëri një ditë më parë grevistëve të sektorit publik, përfshirë edhe atyre të arsimit, duke kërkuar që grevistët në fjalë të pezullohen nga lista e pagave.
“Kërcënimi i Qeverisë ndaj grevistëve të sektorit publik, është qasje e pa precedent, ngase fyen rëndë integritetin dhe dinjitetin e tyre, duke shkelur kështu edhe një nga të drejtat më bazike të punëtorëve; të drejtën e grevës, e cila garantohet me legjislacionin e vendit tonë dhe me konventa ndërkombëtare”, ka thënë Lushaku.
LDK-ja ka vlerësuar se qeveria duhet të dialogojë me grevistët, në mënyrë që viti shkollor të fillojë më 1 shtator, pa presion mbi mësuesit dhe pa ngarkesa shtesë për prindërit dhe nxënësit, sepse, sipas kësaj partie, qasja e deritanishme e kësaj qeverie është praktikë tipike e autokratëve.
“Kërkimi i listave të grevistëve nga ana e Qeverisë, për të dënuar ose pezulluar kontratat e tyre është një goditje e ulët dhe pa mbështetje ligjore. Kjo mënyrë, përveç se është presion e frikësim i drejtpërdrejtë, është edhe cenim i demokracisë së vendit tonë; është praktikë tipike e autokratëve për t’i heshtur pakënaqësitë me qeverisjen e tij”, ka thënë Lushaku.
Ajo ka theksuar se krejt kjo po ndodh në kohën kur mësimdhënësi dhe nxënësi, si çdo qytetar tjetër, po përballet me krizën e rritjes së çmimeve, rritjen e çmimit të faturës së energjisë elektrike dhe mungesën e saj, si dhe mosrealizimin e investimeve kapitale nga MASHT-i.