LDK-ja kërkon dorëheqjen e Ahmetit nga njëra pozitë
Grupi i asamblistëve të LDK-së në Prishtinë ka mbajtur një konferencë për medie, në të cilën ka adresuar kritika të shumta ndaj kryetarit aktual të kryeqytetit, Shpend Ahmeti.
Asamblisti i kësaj partie, Agim Gashi, e ka cilësuar shqetësues faktin e angazhimit të Ahmetit në ekipin e dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se angazhimi i dyfishtë në funksione të ndryshme përbën shkelje të ligjit.
Në këtë kontekst, Gashi, ka kërkuar nga Ministria e Administratës Publike të rekomandojë dorëheqjen nga njëra pozitë kryetarit Shpend Ahmeti.
“Është obligim kushtetues dhe ligjor i administratës publike lokale që sipas detyrës zyrtare të mbikëqyrë këto veprime dhe në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore të rekomandojë dorëheqjen nga njëra pozitë që ai aktualisht ushtron”, ka thënë ai.
Më tutje, Gashi ka thënë se akuzat ndaj LDK-së në Prishtinë për mosvotimin e propozimit për fillimin e ndryshimit të planit rregullativ të “Kodrës së Diellit” nuk qëndrojnë, për shkak se sipas tij, janë pesë parti që qeverisin me komunën dhe nuk kanë mungesë të votave për të çuar përpara këtë çështje.
/Epoka e re/