LDK-ja kërkon dorëheqjen e Nagavcit pas planit të ri për furnizim të nxënësve me tekste shkollore
Partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë (MASHTI) lidhur me planin e ri të shpërndarjes së teksteve shkollore për fëmijët. Kjo parti ka kërkuar dorëheqjen e ministres Arbërie Nagavci shkaku i asaj që e ka cilësuar si “keqmenaxhim të vitit shkollor”.
“Kosova nuk e meriton një ministre që ka dështuar në çdo nivel të menaxhojë me arsimin dhe përfundimisht është dorëzuar duke ia kaluar përgjegjësinë prindërve”, tha Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku, gjatë një konference për media më 22 gusht.
Një ditë më parë, ministrja Nagavci tha se MASHTI po e shqyrton mundësinë që t’ua transferojë paratë prindërve në mënyrë që ata t’i blejnë vetë tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor. Në të kaluarën, MASHTI i ka blerë tekstet nga shtëpitë botuese e ato pastaj u janë shpërndarë nxënësve nëpër shkolla.
Gjatë konferencës, Lushaku e kritikoi këtë plan të MASHTI-t dhe u shpreh e shqetësuar që planifikimi për vitin e ri shkollor, që nis më 1 shtator, nuk është bërë më herët.
“Një ndryshim tërësisht procedural në minutat e fundit pa një vendim të detajuar e të qartë dhe duke mos i ditur rezultatet e tij… Kjo dëshmon papërgjegjësinë e kësaj Qeverie për ta planifikuar saktë buxhetin dhe për ta menaxhuar sigurimin e teksteve shkollore me kohë, që është obligim ligjor i Ministrisë”, tha Lushaku.
“Përveç paaftësisë të Qeverisë për menaxhim të kësaj situate, kjo Qeveri me këtë vendim i ka ikur përgjegjësisë duke i ngarkuar prindërit dhe duke shkelur ligjin në fuqi”, tha Lushaku.
Duke folur për arsyet e këtij plani një ditë më parë, Nagavci përmendi keqpërdorime financiare dhe tha se ka pasur edhe raste të cilat MASHTI i ka adresuar te organet e hetuesisë.
“Kemi pasur raste kur një tekst një vit është shitur 3 euro, pastaj në vitin vijues mbi 12 euro. Ka pasur dallime tepër të mëdha të çmimeve të teksteve shkollore, kemi pasur jo vetëm dallim nga viti në vit, por edhe dallime për tekstet e të njëjtës klasë nga shtëpitë e ndryshme botuese me çmime”, shtoi ajo.
Por, Lushaku thotë se Qeveria nuk do të kursejë para përmes këtij plani të ri, por “do të dëshmohet se blerja me pakicë e librave do të shkaktojë kosto më të lartë për buxhetin e shtetit tonë”.
“Përfundimisht, Qeveria do të paguajë më shtrenjtë rimbursimin e prindërve sesa të blente vetë librat”, tha ajo, duke shtuar se kostoja mund ta kalojë shifrën prej dy milionë eurosh, sa është paraparë të shpenzohet për furnizim me libra në buxhet.