LDK-ja kërkon hetim për shpenzimet rreth lobimit
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, në konferencën e rregullt javore të kësaj partie ka folur për raportimet shqetësuese në media rreth shumave të mëdha të parave publike të shpenzuara për gjoja lobime.
“Janë shpenzuar shuma të mëdha të buxhetit për interesa personale, letra e Geoffrey Nice drejtuar qeverisë tregon qartë për terma financiar të dakorduar jashtë rrugëve formale si dhe përmend shërbimet që ja kryer përfshirë edhe aranzhimin e ligjëratave për z. Thaçi dhe z. Hoxhaj. Letra gjithashtu përmend edhe kërkesën e z. Thaçi për të ndihmuar autorët e biografisë së tij”, është shprehur Hoti.
Ai ka bërë me dije se për këtë çështje duhet të ketë hetim të plotë të ligjshmërisë së shpenzimeve, kjo sipas tij do të bëhet përmes komisionit hetimor parlamentar.
Në konferencë për medie gjithashtu është përmendur edhe çështja e dialogut me Serbinë dhe shqetësimet që ka grupi parlamentar i LDK-së lidhur me këtë çështje.
Theks të veçantë, Hoti i ka kushtuar mënyrës se si Qeveria është duke iu qasur dialogut me një ekip krejtësisht të papërvojë në këtë çështje.
Po ashtu, ai ka ngritur si çështje edhe mungesën e raportimit në Kuvend për platformën por edhe për ecurinë e dialogut.
“Ne bëjmë thirrje që në Kuvend të sillet platforma e dialogut me Serbinë e cila do të përfshijë çështjet për dialogim, afatet kohore indikativë, ekipi negociator si dhe të caktohet roli i Kuvendit si mbikëqyrës i këtij procesi”, është shprehur Hoti.