LDK-ja kërkon hetim të tenderëve njëburimorë: 97% e tyre janë të kësaj Qeverie
Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të hetojë rastet me tenderët njëburimorë.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se shumica e kontratave të këtyre tenderëve janë të Qeverisë aktuale.
“Vetëm 2,5 % të këtyre kontratave janë si vazhdim i kontratave të mëhershme. 97.5% e tyre janë të reja, të kësaj Qeverie. Këto janë kontratat ku nuk lejohet konkurrenca e lirë, negocimi bëhet në katër sy nga zyrtarët e ministrisë apo vetë ministrat dhe përfaqësuesit e kompanisë. Të enjten, kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme për këtë temë. Të zënë ngushtë dhe të paaftë për ballafaqim edhe ministrat e deputetët e VV-së lëshuan sallën”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Mustafa ka paraqitur kontratat që secila ministri i ka nënshkruar, sipas tij.
“Në Ministrinë e Ekonomisë kemi për këtë periudhë 151 kontrata të tilla në vlerë 124 milionë e 606 mijë euro. Në MPB kemi 33 kontrata të dakorduara në katër sy në vlerë 25 milionë e 772 mijë. Në MI kemi 69 kontrata me 10 milionë e 570 mijë. Në MKRS 56 kontrata në vlerë 4 milionë e 763 mijë. Në MD kemi 13 kontrata n vlerë 4 milionë e 95 mijë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, kontrata të tenderëve njëburimorë janë bërë në përgjithësi në nivelin qendror, ka theksuar Mustafa, teksa ka paraqitur edhe këtu shifrat e tyre.
“Në përgjithësi në nivelin qendror kemi trend të kontratave me negocim të drejtpërdrejt. Kontrata për sigurimin e objekteve në vend se të ishin kontrata me konkurrencë të lirë, kemi 74 kontrata në vlerë 9 milionë e 539 mijë. Kontrata për ekspertë apo konsulentë 35 kontrata, 1 milion e 464 mijë. Kontrata për vetura me qira, katër kontrata 434 mijë”, ka theksuar ai.