LDK-ja kërkon konsensus për zgjedhje të reja

20 qershor 2018 | 13:27

Pas përfundimit të tryezës me partitë politike të ftuar nga Partia Socialdemokrate (PSD), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë me një deklaratë për medie, përmes së cilës ka vlerësuar se humbja e shumicës nga koalicioni qeverisës që ndodhi para tre muajsh e ka futur vendin në krizë.

“Ky vlerësim i para tre muajve është edhe më aktual tani, pasi kriza është thelluar. Qeveria nuk mund të adresojë asnjë çështje madhore, përveç vendimeve rutinore të cilat mund t’i marr edhe një qeveri teknike në detyrë. Kuvendi është jo funksional.

Tryeza e partive politike është iniciuar nga LDK-ja me një temë të vetme që është si të dilet nga kjo krizë institucionale. Në një situatë të tillë ne nuk mund të bisedojmë për tema të tjera”, është theksuar në deklaratën e LDK-së.

Sipas kësaj partie, temat e rëndësisë nacionale nuk mund të adresohen nga një koalicion i pakicës.  Prandaj, sipas LDK-së, për të dalë nga kjo situatë, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme.

“Është në interesin e qytetarëve që partitë politike të arrijnë konsensus lidhur me:

parimet që duhet ndjekur në adresimin e këtyre temave të rëndësisë nacionale, pavarësisht kush qeveris sot e kush nesër, si dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe përgatitjet e nevojshme për të nxjerrë një qeveri stabile të një shumice. Në frymën e kësaj, LDK-ja është e gatshme të bisedojë dhe të arrijë konsensus. Ndryshe këto tryeza nuk kanë kuptim. Ne do të përdorim rrugët kushtetuese për të mos lejuar dëmtimin e vendin nga ky koalicion qeverisës i pakicës”, është theksuar në deklaratën për medie të LDK-së.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),…