LDK-ja kërkon miratimin e rezolutës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën
Lidhja Demokratike e Kosovës synon përmes miratimit të rezolutës në seancën e nesërme të Kuvendit të ulet akciza dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për naftën. Në partinë opozitare, kritikojnë kryeministrin Albin Kurti për mungesë të vendimmarrjes për të ndihmuar qytetarët. Derisa, akuzojnë kreun qeveritar për mosmbajtje të premtimeve dhe prishje të raporteve me aleatët ndërkombëtar.
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi thotë se ngritja e çmimeve është bërë e papërballueshme për qytetarët e Kosovës.
Sipas saj, ekzekutivi duhet t’i merr për bazë masat që janë propozuar nga LDK-ja për krizën ekonomike në vend.
“Ne si LDK kemi tjera kauza, pasi jemi edhe duke kritikuar qeverinë, por edhe duke thënë alternativat tona në vazhdimësi, nuk po kritikojmë veçse jemi opozitë, por po japim edhe propozimet për zgjidhjet tona. LDK ka dhënë propozim për largimin e akcizës dhe TVSH-së për naftën, për shtrenjtimin e çmimeve enorme në Republikën tonë, ju e dini se Kurti kur ka qenë në opozitë ka thënë se Kosova është bërë vend i pajtueshëm dhe papërballueshëm për qytetarët e Kosovës. Tani pikërisht me Qeverinë Kurti, qytetarët e kanë të papërballueshme jetën në Kosovë, pasi çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë, nafta dhe deri tek produktet esenciale elementare”, thotë ajo për KosovaPress.
Sipas deputetes opozitare, kryeministri Kurti nuk e ka mbajtur asnjë premtim të tij prej kur ka ardhur në pushtet.
“Kurti prej kur ka ardhur në pushtet asnjë premtim nuk e ka mbajtur. A është Kurti që ka kundërshtuar Pakon e Ahtisarit, tani po thirret në të? A është Kurti kur buka ka qenë 30 cent ka bërë protesta dhe kundërshtuar, tani sa janë rritur çmimet e bukës? A është Kurti që ka realizuar protesta ku kanë humbur edhe jetë qytetarët tanë? A është zotëri Kurti që është thirr në Astrit Deharin dhe tani a është zbardhur rasti i tij?”, deklaron Bunjaku-Rexhepi.
Ajo akuzon kreun qeveritar se ka prishur edhe raportet me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
“Në raport me bashkësinë ndërkombëtare i ka prishur raportet me gjitha shtetet aleat tonë që i ka ndërtuar presidenti Rugova me dekada me radhë. Tani ne nuk kemi raporte të mira, lere më me SHBA-në dhe BE-në, por nuk kemi raporte të mira as me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut”, shton ajo.
Krahas këtyre, deputetja e LDK-së i bëri apel ekzekutivit që veteranët e UÇK-së mos t’i largojë nga paga minimale.
“Ne jemi për pastrimin e listave, jemi që veteranëve t’iu lejohet edhe një punë të punojnë dhe të mos largohen nga (paga minimale). Ata duhet të jenë në këtë projektligj dhe t’i jepet kohë prokurorisë që të pastrojë listat e veteranëve”, përfundon Bunjaku-Rexhepi.
Të hënën do të mbahet debati parlamentar në Kuvend, i iniciuar nga LDK-ja, lidhur me ngritjen e çmimeve në vend.