LDK-ja kërkon nga qeveria ta marrë seriozisht raportin e DASh-it

15 prill 2022 | 12:48

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shqipe Mjekiqi, ka folur në një konferencë për media lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) për Kosovën.

Mjekiqi ka thënë se mosndëshkimi i sulmeve ndaj gazetarëve nga ana e qeverisë jep shembull të keq për shoqërinë.

Mjekiqi ka deklaruar se LDK-ja dënon praktikën e sulmeve ndaj mediave.

“LDK-ja dënon praktikën e sulmeve ndaj mediave pa marrë parasysh se nga vijnë. Mosndëshkimi i sulmeve ndaj gazetarëve nga ana e qeverisë jep një shembull të keq për shoqërinë dhe jep mundësinë që ai shembull të ndiqet edhe nga të tjerët”, ka thënë Mjekiqi.

Po ashtu, Mjekiqi ka thënë se DASh-i paraqet edhe vështirësitë që kanë hasur gazetarët në përpjekjet për të ju qasur dokumenteve publike.

“Raporti i DASh-it vë në pah vështirësitë me të cilat janë përballur gazetarët në përpjekjet për të ju qasur dokumenteve publike. Le të kujtojmë po ashtu se raporti i fundit i ‘Freedom House’ thekson po e citoj: ‘qeveria Kurti ndërmori një sërë vendimesh kyçe që ka të bëjë me dialogun Kosovë-Serbi me transparencë të kufizuar dhe pa u konsultuar me Kuvendin’. Rrjedhimisht kërkojmë nga qeveria që t’i adresojë këto shqetësime të paraqitura në disa raporte ndërkombëtare”, ka thënë Mjekiqi.

Më tutje, ajo në emër të LDK-së ka kërkuar nga qeveria që ta marrë seriozisht raportin e Departamentit të Shtetit.

“Sundimi i ligjit gjatë vitit 2021 në raportin e DASh-it është karakterizuar me mosveprim të qeverisë dhe institucioneve për të ndjekur penalisht rastet e korrupsionit. Ndërkaq rastet e korrupsionit mbeten të pandëshkuara. LDK kërkon që qeveria e Kosovës të marrë seriozisht raportin e DASh-it dhe jo ta injorojë atë”,  ka thënë Mjekiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Krahas vrasjeve, përdhunimeve dhe masakrave të konfirmuara që trupat ruse…