LDK-ja kërkon që koeficienti të jetë 125 euro, Bajrami: Me koeficientin e caktuar nga qeveria s’ka rritje reale
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta përkrahin amendamentin e propozuar nga kjo parti që vlera monetare e koeficientit të pagave të jetë 125 euro, e jo 105 sa ka vendosur dje qeveria.
Bajrami ka thënë se ata kanë bërë kalkulimet dhe se kjo do të kishte një kosto vjetore prej 120 milionë eurove.
Me koeficientin që ka vendosur qeveria, Bajrami tha se s’ka rritje reale të pagave.
“Ne sot me këtë koeficient s’kemi rritje reale të pagave. Ne mund të kemi një rritje të lehte nominale, por e cila assesi nuk e adreson normën e inflacionit. LDK-ja ka shikuar buxhetin, ka bërë të gjitha kalkulimet dhe ne propozojmë të paraqesim amendament qe koeficienti i pagave të jetë 125 euro. Kjo kërkon një kosto vjetore prej 120 milionëve dhe është shumë më pak sesa masat e qeverisë që i ka nda vitin e kaluar pa asnjë efekt. Ne ju bëjmë thirrje deputetëve të këtij Kuvendi që ta përkrahin amendamentin”, ka deklaruar Bajrami.