LDK-ja kërkon që nesër të mbahet seanca për deportimin e shtetasve turq
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë me dije se kjo parti ka dorëzuar kërkesën që nesër në orën 14:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme për skandalin e deportimit joligjor të gjashtë shtetasve turq.
Ai ka thënë se pret nga kryetari i Kuvendit të respektojë normat e Rregullores të Kuvendit dhe vullnetin e 40 deputetëve dhe të mbledh sa më parë Kryesinë e Kuvendit për të caktuar këtë seancë.
“Sot në orën 11:00 është dashtë të mbahet seanca e jashtëzakonshme për skandalin e deportimit joligjor të gjashtë shtetasve turq sipas kërkesës të grupit parlamentar të LDK-së, mbështetur edhe nga dy grupe të tjera parlamentare. Kryesia e Kuvendit nuk është mbledhur për të proceduar me këtë kërkesë dhe si rezultat seanca nuk mund të mbahet sot. Ne kemi dorëzuar një kërkesë tjetër që kjo seancë të mbahet nesër në orën 14:00. Pres që kryetari i Kuvendit të respektojë normat e Rregullores të Kuvendit dhe vullnetin e 40 deputetëve dhe të mbledh sa më parë Kryesinë e Kuvendit për të caktuar seancën”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.