LDK-ja kërkon shkarkimin e bordit të ZRrE-së: Shtrenjtuan rrymën në mënyrë të padrejtë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, në seancën e sotme të Kuvendit, ka propozuar mocionin për shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në fjalën e tij, Zemaj ka thënë se ky bord nuk ka arritur të përmbushë objektivat e parashtruara nga Kuvendi për mbrojtjen e interesit të qytetarëve.
“Ky bord në mënyrë të padrejtë ka bërë shtrenjtimin e energjisë elektrike. Tashmë ka vendime të gjyqësorit që të ndalet pagesa e energjisë elektrike me tarifën e shtrenjtë, ndërsa qytetarët po vazhdojnë të kryejnë këto pagesa të faturave me tarifë të shtrenjtë. Andaj, në këtë krizë ekonomike ne kemi propozuar shkarkimin e këtij bordi që ka rënduar jetën e qytetarëve”, ka thënë Zemaj.
Kujtojmë se ZRrE-ja, për shkak të krizës energjetike kishte lejuar ngritjen e çmimit të tarifës së energjisë elektrike, por se ky vendim ishte hedhur poshtë nga gjykata.
Megjithatë, qytetarët e Kosovës po vazhdojnë pagesën e energjisë elektrike me çmime të ngritura, pasi ZRrE-ja ende nuk e ka hequr vendimin për ngritjen e tarifave.