LDK-ja kërkon zgjedhje të parakohshme
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se vendi nuk mund të qeveriset nga një koalicion i pakicës.
Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti, ka kërkuar që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
“Seanca e Kuvendit të Kosovës sot u ndërpre në mungesë të shumicës parlamentare. Në fakt, ky koalicion asnjëherë nuk ka pasur shumicë në Kuvendin e Kosovës, përveç ditës kur u zgjodh Qeveria. Vendi nuk mund të qeveriset nga koalicioni i pakicës, i cili nuk ka legjitimitet. Grupi parlamentar i LDK-së nuk do të përkrahë vazhdimin e kësaj forme të qeverisjes, ku një pakicë ka uzurpuar institucionet shtetërore. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja që të mos dëmtohet demokracia”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, gjuha e ashpër dhe fyese e koalicionit të pakicës ndaj partive opozitare e thellon më tutje krizën institucionale.
“Ne ftojmë për përgjegjësi politike dhe institucionale nga të gjithë. Ne do të punojmë me të gjitha forcat politike opozitare dhe forcat e tjera progresive në Kuvendin e Kosovës që të dalim nga kjo krizë institucionale, vetëm përmes organizimit të zgjedhjeve të lira. Insistimi për të vazhduar me këtë dhunim të demokracisë do të dëmtojë proceset afatgjate politike në Kosovës”, është shprehur Hoti.