LDK-ja: Kosovë, gëzuar 24-vjetorin e Ditës së Çlirimit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka uruar 24-vjetorin e Ditës së Çlirimit.
“Në përvjetorin e 24-të, të Ditës së Çlirimit nderojmë dhe kujtojmë sakrificën e gjeneratave që kontribuuan në lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Më 12 qershor të vitit 1999, Kosova përfundimisht u çlirua nga okupatori dhe sunduesi serb. Pas më shumë se një shekulli nga thundra e sundimit sllav tashmë Kosova po shijonte ditët e para të paqes dhe të lirisë”.
“Kapitullimi i regjimit kriminal të Millosheviçit erdhi si rezultat i një rezistence paqësore të prirë nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe më pas edhe të armatosur të popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultojë edhe me intervenimin ushtarak të NATO-s mbi caqet serbe. Regjimi famëkeq serb kishte vrarë mijëra civil të pafajshëm, kishe deportuar mbi një milion shqiptar nga shtëpitë e tyre, kishte djegur e shkatërruar gjithçka shqiptare. Pas 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s të gjitha këtyre ju erdhi fundi”, thuhet në urimin e LDK-së.
Sot, në këtë përvjetor, të Ditës së Çlirimit, LDK-ja ka theksuar se nderojmë dhe kujtojmë sakrificën e gjeneratave që kontribuuan në lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
“Falënderim e mirënjohje për partnerët e miqtë ndërkombëtar SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe të gjitha shtetet e tjera evropiane demokratike që ndihmuan në arritjen e lirisë sonë. Urime Dita e Çlirimit!”, thuhet në urimin e LDK-së.