LDK-ja kritikon Gërvallën: Në Këshill të Sigurimit pati fjalim të pamatur që devijon nga qëndrimi zyrtar i Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar sot Qeverinë Kurti, në 100-ditëshin e qeverisjes.
Nënkryetarja e kësaj partie, Shqipe Mjekiqi, derisa ka folur për qëndrimet e kësaj partie karshi zhvillimit të politikës së jashtme të qeverisë, tha se zyrtarë të saj kanë bërë deklarata të pamatura në platforma ndërkombëtare.
Këtu ajo ka përmendur edhe fjalimin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit.
“Gjatë 100 ditëve ishim dëshmitarë të fjalimeve të pamatura të zyrtarëve të lartë qeveritarë në platforma ndërkombëtare, të cilat devijojnë nga qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës. I tillë ishte rasti me paraqitjen e Ministres së Punëve të Jashtme para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në prill”, ka thënë ajo.
Fjalimi i plotë:
Qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës për politikën e jashtme të 100-ditëshit të Qeverisë Kurti II:
1) NDRYSHIM I QËNDRIMEVE
Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë udhëhiqej nga parimi ‘jo-negociata’. Ajo çfarë kemi parë në të vërtetë është transformim i skajshëm nga qëndrimi jo-negociata në dialog pa kushte.
Përpos kësaj, dialogu doli të ishte prioriteti numër 1 pavarësisht se e njejta deklaronte që dialogu do të jetë i shtati për nga prioritetet.
2) DIALOG JO-PËRMBAJTËSOR
Qeveria e Kosovës iu qas dialogut me Serbinë pa një platformë të qartë për vizionin, afatet kohore dhe rezultatet konkrete që synohen të arrihen.
Për më tepër, me propozimet e bëra nga Qeveria Kosovës dialogu u reduktua në çështje teknike, të cilat do ta zvarrisin arritjen e një marrëveshje përfundimtare. I tillë ishte rasti me propozimin e shndërrimit të CEFTA-s në SEFTA.
3) DËMTIM I KREDIBILITETIT NDËRKOMBËTAR
Qeveria e Kosovës bëri përpjekje për të iu ikur obligimeve që burojnë nga marrëveshja e Uashingtonit, përmes interpretimit të kësaj marrëveshje si juridikisht të pavlefshme.
Qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë që është duke punuar ngushtë me Qeverinë e SHBA-ve për ketë dhe për çështjet tjera.
4) MUNGESË E SERIOZITETIT INSTITUCIONAL
Gjatë 100 ditëve ishim dëshmitarë të fjalimeve të pamatura të zyrtarëve të lartë qeveritarë në platforma ndërkombëtare, të cilat devijojnë nga qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës.
I tillë ishte rasti me paraqitjen e ministres së Punëve të Jashtme para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në prill.
5) APROVIM I MARRËVESHJEVE NDËRKOMBËTARE TË CILAT E DISKRIMINOJNË KOSOVËN
Qeveria aprovoi marrëveshjen për lëvizje të lirë, nga e cila do të përfitojnë qytetarët e rajonit por, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të diskriminohen për shkak të barrierave të vendosura nga ana e Serbisë.
Çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve ka qenë pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel gjatë procesit të dialogut mirëpo, edhe kjo është një prej marrëveshjeve të shumta që nuk është zbatuar nga Qeveria e Serbisë. Qeveria Kurti duhet të na tregojë a do të mënjanojë pengesat e mëhershme si rezultat i marrëveshjes së re për lëvizje të lirë.