LDK-ja kritikon Qeverinë Kurti për 100-ditëshin e qeverisjes
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar Qeverinë Kurti, për 100-ditshin e parë të qeverisjes.
Sipas kësaj partie, qeveria nuk ka dëshmuar se është serioze në punë dhe në temat e mëdha që e presin vendin.
Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i ka ndryshuar qëndrimet qysh nga ardhja në pushtet.
“LV-ja gjatë kohës sa ishte në opozitë udhëhiqej nga parimi jo negociata por vetëvendosje. Ajo çfarë kemi parë këtyre ditëve është transformim i skajshëm nga jo-negociata në dialog pa kushte,. Doli që dialogu është prioriteti numër një e jo ashtu siç thoshte që është i shtati. Qeveria iu qas këtij procesi pa plan e pika konkrete” , ka thënë Mjekiqi në një konferencë për medie.
Ajo ka përmendur edhe qëndrimin e Qeverisë Kurti për marrëveshjen e Uashingtonit.
“Qeveria e Kosovës bëri përpjekje për tu ikur obligimeve që burojnë nga marrëveshja e Uashingtonit përmes interpretimit të kësaj marrëveshje si juridikisht të pavlefshme”, ka thënë Mjekiqi.
Ndërsa Izet Sadiku nga grupi punues për shëndetësi në LDK, ka kritikuar Qeverinë Kurti për ngecje në procesin e vaksinimit kundër Covidit.
Ai ka thënë se nëse vazhdon me këtë ritëm, atëherë ka rrezik që Kosova të goditet nga një valë e re e pandemisë.
“Ne deri sot, kanë kaluar 3 muaj dhe kemi më pak se 2 për qind të vaksinimit. Nga koha kur është shpallur si periudhë e vaksinimit masiv, janë vaksinuar vetëm 70 mijë qytetarë. Nëse vazhdon me këtë tempo, atëherë do të vaksinohet rreth 7 për qind të qytetarëve. Kjo mungesë e vaksinimit ne e parashohim se do të ketë mundësi që të na godas një valë e re e pandemisë”, ka thënë Sadiku.
Më tutje, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, ka përmendur edhe zyrtarët e LV-së që janë me aktakuza.
Ai ka përmendur rastin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe atë të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Në 100-ditëshin e saj kjo qeveri ka filluar të jap strehë aktivistëve dhe mbështetësve të saj në institucione. Një parti që fiton pushtetin absolut duhet të ketë kuadro profesionale për ta përmbushur planin qeverisë. Një shqetësim tjetër për ne është që ministra dhe deputet, pjesën më të madhe të punës së tyre e kaluan në gjykata me aktakuza. Vetëm në vendin tonë ndodh që ministrja e Drejtësisë ta ushtroj këtë detyrë derisa shkonte edhe në gjykatë”, ka thënë Manaj.
Në anën tjetër deputeti Besian Mustafa, në 100-ditëshin e Qeverisë Kurti, ka përmendur shkarkimet që janë bërë nga kjo qeveri dhe punësimin e disa të tjerëve.
Në këtë konferencë, ai ka kritikuar qeverinë edhe për mosmbështetjen ndaj qytetarëve për humbjet e shkaktuara nga pandemia.
“Në 100-ditëshin e parë të kësaj qeverie ka shumë ankesa për të shkuarën. Ekonomia jonë dhe sektori privat kanë nevojë për mbështetje. Qeveria ka ndarë vetëm 6 milionë euro për gastronominë kinse për të mbuluar dëmet që u janë shkaktuar nga mbyllja. Më nuk kanë asnjë përkrahje, përveç fjalëve që do ët bëjnë një pako të re për rimëkëmbje ekonomike. Gjatë këtyre 100 ditëve shkarkuan borde të ndërmarrjeve publike dhe ngarkuan anëtarë dhe familjarë të tyre. Përveç dajallarëve dhe nipave nuk gjetën punë për askënd tjetër”, ka thënë Mustafa.
Në ndërkohë deputetja Vlora Dumoshi ka kritikuar qeverinë për moszhvillim të kulturës, rinisë dhe sportit.
“Në rrafshin e kulturës, rinisë dhe sportit, ministri merr vendim për ta anuluar konkurset programore pa asnjë kriter. Tash jemi në korrik dhe e shohim se jeta kulturore dhe trashëgimore është shumë e varfër. Nuk kemi asnjë promovim të Kosovës jashtë vendit”, ka thënë Dumoshi.