LDK-ja kritikon Qeverinë për moskrijimin e kushteve për punësimin e të rinjve
Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka mbajtur një konferencë me temën” “(Pa)siguria sociale dhe ekonomike e të rinjve në Kosovë”, në të cilin është diskutuar për sfidat e të rinjve në arsim dhe treg të punës.
Deputeti Fidan Rekaliu, kryetar i këtij forumi, në këtë konferencë ka përmendur rezolutën e LDK-së të dërguar në Kuvend për gjendjen e të rinjve të Kosovës për dëshirën e tyre për të dalë jashtë vendit, mirëpo sipas tij kjo është lënë pas dore nga Qeveria e Kosovës.
“Qeveria nuk e ka marrë seriozisht këtë edhe pse ata vetë flasin për politika mbështetëse, afirmative për rininë. Nuk jemi të kënaqur me shkallën e zbatimit të rezolutës edhe në të ardhmen do bëjmë presion që të zbatohet. Sot jemi në gjendje të zhgënjimit që ekziston tek të rinjtë dhe ne do mundohemi të mobilizojmë nevojën e të rinjve dhe besojmë se mund të ketë ngritje sociale dhe ekonomike”, ka thënë Rekaliu.
Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, u është drejtuar të rinjve me disa pyetje mbi rolin e tyre në shoqëri, teksa ka fajësuar Qeverinë për mos krijimin e kushteve për të rinjtë që të studiojnë dhe punojnë në Kosovë. (EO)