LDK-ja kritikon qeverisjen e Mytaher Haskukës për korrupsion dhe nepotizëm
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren ka kritikuar qeverisjen e Mytaher Haskukës në këtë qytet.
Sipas degës së LDK-së në Prizren, raporti i auditorit ka gjetur shkelje në Drejtorinë e Kulturës, shkelje për të cilat përgjegjësia më e madhe është e kryetarit të komunës, i cili, edhe përkundër kritikave të shoqërisë civile ka lejuar që me këtë drejtori të udhëheq një person i dënuar me aktvendim gjyqësor për falsifikim dokumentesh.
“Subvencionimi i OJQ-ve sipas raportit të auditorit është përcjell me këto parregullsi: Mungesa e përfshirjes së kritereve minimale në shpalljen publike rezulton me diskriminimin e të interesuarve dhe kufizim të konkurrencës. Përzgjedhja e përfitueseve, pa i plotësuar kriteret e vendosura në shpalljen publike ka reflektuar trajtim jo të barabartë të aplikuesve dhe komuna rrezikon financimin e përfituesve të papërgjegjshëm, përmes fondeve publike. Përtej diskriminimit, kufizimit të konkurrencës, përzgjedhjes së përfituesve pa i plotësuar kriteret që reflekton në trajtim të jobarabartë ka edhe një fakt interesant që nuk e përmend auditori. Ka mungesë të transparencës për shumat e ndara për OJQ-të, mungese kjo përbrenda së cilës ka dyshime të bazuara se ka edhe korrupsion e nepotizëm”, thuhet në reagimin e LDK-së në Prizren.
Sipas kësaj partie, ndarja e fondeve për “vëllezër motra e miq” të zyrtarëve komunal kulmon me ndarjen e mjeteve për organizatën e ish-drejtorit, secilin vit duke e rritur shumën.
Dega e LDK-së shpreh dyshimet e hapura se në këtë mungesë transparence fshihet korrupsioni e nepotizmi. “Dega e LDK-së në Prizren beson se Prokuroria qysh vitin e kaluar i ka hetuar shqetësimet e komunitetit kulturor pikërisht të cilat janë rekomandime të auditorit, dhe gjithashtu beson se do të vazhdojë me hetim te këtyre politikave diskriminuese”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
(Q.R / Epoka e re)