LDK-ja kundër zvogëlimit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve: Qeveria Kurti e goditi sistemin e drejtësisë
Koordinatori i Departamentit për Rend dhe Ligj në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj në një konferencë për medie, ka thënë se me vendimin për uljen e pagave të prokurorëve e gjyqtarëve, qeveria ia ka dhënë goditjen më të rëndë sistemit të drejtësisë.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e vetmja në botë që në kohë të inflacionit i zvogëlon pagat. Sipas tij ky vendim do të ndikojë në ikjen e prokurorëve e gjyqtarëve nga sistemi si dhe ngadalësimin e trajtimit të rasteve.
“LDK-ja e kundërshton uljen e pagave ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Qeveria i dha goditje sistemi të drejtësisë, në momenti kur ishim në pritje të rritjes së pagave”
“Kjo është qeveria e vetme në botë që në kohë të inflacionit i ul pagat, kjo është një nga goditjet më të rënda. Vendimi skandaloz cenon punën edhe ashtu të cenuar. Ulja e pagave nënkupton ikjen nga sistemi i drejtësisë, nënkupton ngadalësimin e trajtimit të rasteve”, ka thënë Manaj.