
LDK-ja: Lëvizja Vetëvendosje sërish bllokoi seancën e konstitutimit të Kuvendit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo parti ka theksuar se sërish Lëvizja Vetëvendosje ka bllokuar seancën e konstitutimit të Kuvendit.
“Të njëzet deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin prezent. Fatkeqësisht, kryesuesi i kësaj seance, nga radhët e LV-së, shkeli Rregulloren e Kuvendit duke thirrur fillimisht për konsultime politike, pa qenë i autorizuar dhe pa pasur mandat për një gjë të tillë. Skenari i mbledhjes konstituive nuk u respektua, ani pse kishte kushte që të vazhdonin aty ku ishte ndërprerë kjo seancë më 15 prill. Prezent ishin 100 deputet, pra kishte kuorum për të vazhduar me votimin e raportit të Komisionit, aty ku ishte ndërprerë seanca. Veprimet e sotme të LV-së shpërfaqin bllokimin e tyre faktik për konstituim të Kuvendit dhe themelim të institucioneve”, është thënë në reagimin e LDK-së.