LDK-ja, LV-së: Pushtetet e balancuara, jetike për funksionimin e koalicionit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka lëshuar një komunikatë për media pas takimit që ka pasur kryetari i saj Isa Mustafa me grupin parlamentar dhe kryesinë.
“Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, trajtoi situatën pas Konstituimit të Kuvendit të Kosovës. LDK-ja vlerëson se është në interesin më të mirë të vendit implementimi i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 dhe krijimi i institucioneve. LDK-ja konsideron se partisë që ka dalë e para i takon përgjegjësia për të themeluar institucionet”, është thënë në komunikatën e LDK-së.
LDK-ja ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje, mbi bazën e mirëbesimit dhe të partneritetit.
“LDK-ja vlerëson se pushtetet e balancuara dhe përgjegjësitë e përbashkëta janë jetike për funksionimin e koalicionit të mundshëm, si dhe për funksionimin demokratik të institucioneve. LDK-ja fton Lëvizjen Vetëvendosje që të reflektojë mbi bazën e këtij parimi, në bazë të të cilit edhe është ndërtuar qëndrimi i LDK-së lidhur ndarjen e pushteteve dhe balancin ndërmjet tyre”, është theksuar në komunikatën e LDK-së.
/Epoka e re/