
LDK-ja mban mbledhjen e Kryesisë, Besian Mustafa merr pozitë të re në parti
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në takime të ndara ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë dhe mbledhjen me kryetarë të degëve.
Siç ka njoftuar kjo parti fokusi kryesor ishte mbarëvatjtja e ciklit debatues e diskutues “LDK ju dëgjon”, që tashmë po merr formë e shtrirje në gjithë territorin e vendit.
Ndërkaq deputeti Besian Mustafa është emëruar Koordinator i Shkollës Politike.
“Në të dyja mbledhjet u shprehën mendimet dhe vlerësimet që cikli i takimeve ‘LDK ju dëgjon’, ka qenë forma e duhur për t’i njohur nga afër problemet dhe sfidat që po përballen qytetarët në këtë kohë të krizës ekonomike”, ka njoftuar LDK-ja.
LDK-ja ka bërë me dije se do të vazhdojë këtë cikël të takimeve duke intensifikuar punën e saj në terren, për të dëgjuar e kuptuar nevojat e qytetarëve tanë.
“Po ashtu, Besian Mustafa është emëruar Koordinator i Shkollës Politike, e cila do të promovojë vlerat e demokracisë, si parti e qendrës së djathë që në epiqendër ka lirinë individuale, familjen dhe ekonominë e lirë të tregut”, ka njoftuar kjo parti.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të mobilozohet gjithandej Kosovës, për të inkorporuar problemet e sfidat e qytetarëve në planin qeverisës e për t’i dhënë zgjidhje e alternativë konkrete nevojave e kërkesave të vendit tonë.