LDK-ja: Ministria e Arsimit u tregua e paaftë për sigurimin e librave për nxënësit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit për subvencionimin e teksteve shkollore edhe këtë vit. Udhëheqësja e Departamentit të Arsimit në LDK, njëkohësisht edhe kryetare e Forumit të Gruas, Jehona Lushaku Sadriu, ka deklaruarës pas takimit me Departamentin e Arsimit se Ministria e Arsimit, është treguar edhe këtë vit e paaftë në përmbushjen e obligimit ligjor për sigurim të librave.
“Shprehim shqetësimin tonë që për herë të dytë, Ministria e Arsimit dështon t’i sigurojë tekstet shkollore për nxënësit e Kosovës. Kjo tregon që kjo ministri, është e paaftë të përmbush obligimin e saj ligjor për t’i siguruar librat. Tek e fundit është tepër e rëndësishme jo sa para marrin prindërit, por a i kanë fëmijët librat në bankat shkollore më 1 shtator, rrjedhimisht më 2 shtator, dhe kjo del që është e sigurt që nxënësit nuk do t’i kënë librat e do të ketë vonesa në furnizim”, ka thënë Lushaku- Sadriu.
Po ashtu, Lushaku-Sadriu ka thënë se “fatkeqësisht në vend se të flasim për reformën e cilësinë në arsim, ne vazhdojmë të merremi me furnizim të teksteve shkollore, mjete elementare për fëmijët tanë”. “LDK-ja në programin politik ‘Rruga e Re’, parasheh koeficient 150 për mësimdhënësit. Përfundimisht LDK-ja konsideron se investimi në arsim nuk është vetëm një detyrë, por një përgjegjësi ndaj gjeneratave të ardhshme”, ka thënë ajo.