LDK-ja mirëpret procedimin në pako të Projektligjit për paga në sektorin publik
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mirëpritur procedimin në pako të Projektligjit për paga në sektorin publik, atë për zyrtarët publikë, dhe për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura.
Deputeti i kësaj partie, Arban Abrashi, në një konferencë për medie ka bërë thirrje që këto projektligje sa më shpejt të kalojnë për votim në Kuvendin e Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se inkorporimi i vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave, në kuadër të Ligjit për paga, shtrembëron parimi esencial i këtij ligji ‘pagë e njëjtë për punë të njëjtë’. Prandaj me kontributin tonë në komisione do të përpiqemi të rregullojmë këtë anomali”.
“Pakoja e projektligjeve, të sjella nga Qeveria ka ndërhyrë në pavarësinë e disa organizatave shtetërore. LDK-ja vlerëson se ashtu si e parasheh Kushtetuta e Kosovës, duhet të lihen si të tilla, dhe ne do të mbrojmë këtë parim të pavarësisë institucionale, andaj organizatat e pavarura duhen të mbeten të tilla dhe Qeveria duhet të qëndrojë sa më larg tyre”, ka thënë Abrashi.
/Epoka e re/